Partia Socialiste festoi 35-vjetorin e themelimit të saj në Qarkun e Tiranës, në një aktivitet ku morën pjesë themelues, drejtues, anëtarë dhe mbështetës të kësaj force politike. Në fokus të aktivitetit ishte rrugëtimi 35-vjeçar i PS-së, sfidat e kapërcyera dhe vizioni për integrimin europian të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj, Ogerta Manastirliu shprehu mirënjohje për themeluesit e Partisë Socialiste, duke theksuar se ata zgjodhën “anën e duhur të historisë” që në ditën e parë të krijimit të saj.

Reklame

“35 vjet Partia Socialiste është një histori politike, por edhe një histori njerëzore. Kemi kaluar plot ngjarje të mira, por edhe sfida e vështirësi. Socialistët dhe themeluesit e kësaj partie e kanë mbajtur gjallë vizionin e Shqipërisë europiane gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaroi Manastirliu.

Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e socialistëve të Tiranës në sukseset elektorale të partisë ndër vite, duke e cilësuar kryeqytetin si lokomotivën e fitoreve të Partisë Socialiste.

“Tirana është motori i rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Manastirliu, duke nënvizuar rëndësinë e organizimit dhe energjisë së strukturave socialiste në kryeqytet.

Në aktivitet u rikujtua edhe kontributi i Partisë Socialiste në proceset demokratike, reformat shtetformuese dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit gjatë tre dekadave e gjysmë të ekzistencës së saj.

35-vjetori i PS-së vjen në një periudhë kur Shqipëria vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimi Europian, një objektiv që socialistët e kanë vendosur në qendër të axhendës së tyre politike.

Reklame