Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndëshkuar me masë administrative kompaninë Gjikuria, pas konstatimit të depozitimit të mbetjeve inerte dhe dherave në krye të fshatit Dhërmi.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Qendrore e IKMT-së zhvilloi një inspektim në zonë, ku u evidentua një vendgrumbullim inertesh dhe materialesh të dala nga gërmimet.
Gjatë verifikimeve rezultoi se subjekti nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B, sipas kërkesave ligjore të parashikuara në shtojcën 5.2.
Për shkeljet e konstatuara, IKMT vendosi ndaj kompanisë masën administrative me gjobë në vlerën 1 milion lekë. Po ashtu, është urdhëruar pezullimi i aktivitetit deri në pajisjen me lejen përkatëse mjedisore.
Autoritetet i kanë ngarkuar kompanisë “Gjikuria” edhe detyrimin për të eliminuar pasojat e shkaktuara dhe për të rehabilituar zonën ku janë depozituar inertet, brenda një afati të arsyeshëm.















