Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka firmosur një seri ndryshimesh në drejtimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në vend.

Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Adriatik Kupi, në krye të burgut të Reçit është emëruar Klodjan Myrto, i cili zëvendëson Algert Çekrezi.

Reklame

Ndërkohë, Arjan Bozhaj është komanduar drejtor i burgut “313” në Tiranes, ndërsa Alban Zela është komanduar në krye të burgut të Rrogozhinës, pas pezullimit nga detyra të drejtorit Bilal Hasa.

Lëvizje është bërë edhe në paraburgimin e Elbasanit, ku Markiz Sallufi është emëruar drejtor, duke zëvendësuar Qazim Hoxha.

Sipas burimeve pranë sistemit penitenciar, ndryshimet janë ndërmarrë në kuadër të forcimit të kontrollit dhe disiplinës në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Këto lëvizje vijnë pas dhjetëra kontrolleve të zhvilluara së fundmi në burgjet e vendit, ku janë sekuestruar sende të paligjshme. Gjatë aksioneve janë gjetur telefona celularë, fisha karikimi, USB, sasi të dyshuara kanabisi, thika artizanale dhe objekte të tjera të ndaluara brenda ambienteve të burgjeve.

Autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e kontrolleve dhe masa të forta ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.

Reklame