Detaje të reja janë bërë publike për arratisjen spektakolare të shqiptarit Gentian Çipi, 41 vjeç, i cili u largua mbrëmjen e së premtes gjatë transferimit nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serresit në Greqi.

Sipas raportimeve të mediave greke, arratisja dyshohet se ishte planifikuar dhe realizuar me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve të armatosur.

Reklame

Automjetet që ngjanin me makina policie

Sipas informacioneve të publikuara, rreth orës 23:30 automjeti i transportit të burgut ndodhej në oborrin e spitalit, pranë krahut psikiatrik.

Brenda automjetit ndodheshin Gentian Çipi dhe dy pjesëtarë të eskortës së jashtme të burgut.

Në atë moment, sipas mediave greke, u shfaqën dy automjete që ngjanin me makina policie.

Njëri prej tyre dyshohet se ishte një Nissan Navara, model që përdoret edhe nga njësitë e Policisë Greke, dhe kishte një fener të vogël.

Kjo bëri që shoqëruesit të mendonin fillimisht se automjetet i përkisnin policisë.

Por situata ndryshoi brenda pak sekondash.

Kallashnikovët dhe arratisja

Sipas raportimeve, nga automjetet zbritën persona të armatosur me kallashnikovë, të cilët kërcënuan dhe neutralizuan shoqëruesit e të burgosurit.

Më pas, ata ndihmuan Çipin të largohej nga automjeti i burgut dhe dyshohet se morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut.

Autorët u larguan më pas me automjetet e tyre, ndërsa policia greke nisi një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Kush është Gentian Çipi?

Gentian Çipi është një shtetas shqiptar 41-vjeçar, i cili ishte arrestuar nga strukturat greke të Krimit të Organizuar.

Ai dyshohet se është përfshirë në një tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti të ndodhur në një biznes në zonën e Pilaia-s.

Sipas autoriteteve greke, emri i tij është lidhur gjithashtu me hetime për armë dhe drogë.

Çipi rezulton të ketë edhe një të kaluar kriminale në Shqipëri. Në korrik 2024, ai është dënuar me 2 vite burg për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, pas një ngjarjeje të ndodhur në Korçë.

Në kuadër të hetimeve në Greqi, autoritetet kishin arrestuar edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet.

Policia vijon kërkimet

Pas arratisjes, autoritetet greke kanë vënë në lëvizje një operacion të gjerë për kapjen e Gentian Çipit dhe personave që dyshohet se e ndihmuan.

Një element i rëndësishëm për hetimin është mënyra se si bashkëpunëtorët mund të kenë mësuar për transferimin e të burgosurit në spital.

Në të njëjtin spital ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë, të cilët ishin sjellë për trajtim me një eskortë tjetër.

Hetuesit po analizojnë automjetet e përdorura, armët dhe provat e tjera për të rindërtuar me saktësi skemën e arratisjes dhe itinerarin e ndjekur nga autorët.

Lexo edhe

Arratisje spektakolare në Greqi, i burgosuri shqiptar i ikën policisë gjatë transportit për në spital!

FOTO + EMRI/ “Komandot” e nxorën nga burgu në Greqi, kush është 41-vjeçari nga Korça

Reklame