Kinematografia dhe teatri shqiptar janë në zi. Aktori i njohur Birçe Hasko është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një emër të paharrueshëm në skenën shqiptare.
I lindur më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës, Birçe Hasko u bë një nga figurat më të dashura të publikut për mënyrën autentike të interpretimit dhe sjelljen me mjeshtëri të karaktereve popullore, sidomos atyre të jugut të Shqipërisë.
Pas përfundimit të shkollës pedagogjike “Jani Minga”, ai punoi fillimisht si mësues dhe drejtor shkolle në disa zona të vendit. Më pas ndoqi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, duke nisur kështu një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër dhe film.
Për dekada me radhë, Hasko interpretoi dhjetëra role që mbetën në kujtesën e publikut shqiptar. Në teatër spikati me personazhe si Milo Tafani në “Shi në plazh”, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” dhe Shazo në “Familja e peshkatarit”.
Në kinematografi realizoi 32 role filmike, mes tyre në filmat “Njeriu me top”, “Radiostacioni”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara” dhe “Shkëlqim i përkohshëm”, rol për të cilin u vlerësua edhe me çmim në Festivalin e Filmit.
Loja e tij u dallua për humorin spontan, mimikën e pasur dhe përdorimin karakteristik të të folurit lab, elemente që e bënë stilin e tij të veçantë dhe të vështirë për t’u përsëritur.
Përveç kontributit si aktor, Birçe Hasko dha një rol të rëndësishëm edhe në edukimin e brezave të rinj të artistëve si pedagog në Akademinë e Arteve, ku më vonë mbajti edhe detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik.
Për veprën dhe kontributin e tij në artin shqiptar, ai u nderua me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”. Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një nga figurat më të spikatura të teatrit dhe ekranit.

Reklame