Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pas procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, duke falënderuar demokratët që, sipas tij, kanë refuzuar “farsën” dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre përmes votës apo bojkotit.
Në një mesazh publik, Salianji thotë se po merr qindra mesazhe dhe foto nga mbështetës në degë të ndryshme të vendit, të cilët përmes votës, shkrimit të emrit në fletën e votimit apo refuzimit të procesit, po tregojnë se Partia Demokratike “nuk është pronë personale”.
“Falenderim dhe mirënjohje për çdo demokrat që sot ka zgjedhur të shënojë qartësisht preferencën e tij. Po më vijnë qindra mesazhe dhe foto nga demokratë që, përmes votës, shkrimit të emrit apo refuzimit të farsës, po tregojnë se Partia Demokratike nuk është pronë personale”, shkruan Salianji.
Ai shton se reagime po vijnë nga degë të ndryshme të vendit, nga Shkodër deri në Korçë, Vlorë, Kukës, Fier, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Berat, Lezhë, Durrës dhe Tiranë.
Sipas tij, mijëra demokratë kanë zgjedhur të braktisin procesin, duke e konsideruar atë një “uzurpim” të Partisë Demokratike për interesa personale.
“Kur gara vritet, kur alternativa përjashtohet dhe kur vula përdoret për të mbajtur peng opozitën, demokratët dinë të reagojnë me dinjitet”, deklaron Salianji.
Në fund të reagimit të tij, ai thekson se beteja do të vazhdojë për ta rikthyer Partinë Demokratike tek anëtarësia dhe qytetarët.
“Ne nuk dorëzohemi. Do ta çmontojmë këtë farsë me kurajo, me demokratë të lirë dhe me besimin se Partia Demokratike do t’u kthehet anëtarëve dhe qytetarëve”, përfundon ai.















