Bashkimi Liberal Demokrat dhe Nisma “Reforma Reale” i kanë drejtuar Forumit të Dialogut Politik një shkresë zyrtare me propozime konkrete për ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Dokumenti, i datës 19.05.2026, përmban një paketë të gjerë ndërhyrjesh ligjore dhe një relacion shpjegues, me synim reformimin e sistemit zgjedhor dhe forcimin e standardeve demokratike në vend.
Në shkresën drejtuar anëtarëve nismëtarë të Forumit të Dialogut Politik – Ermal Hasimja, Redi Ramaj dhe Hektor Ruci – theksohet nevoja për një bashkëpunim më të gjerë politik për ndërtimin e një sistemi zgjedhor të barabartë dhe funksional.
Sipas propozuesve, ndryshimet synojnë që procesi zgjedhor të bazohet në parimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, duke garantuar që asnjë subjekt politik të mos ketë përparësi në garë dhe duke respektuar standardet demokratike në fuqi.
Sipas projektligjit anëtarët e komisioneve QV-ve,GNV-ve dhe ZAZ-ve do të propozohen kryesisht nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe Dhoma e Noterisë së Shqipërisë dhe në vijim nga profesione të tjera të rregulluara me ligj në Republikën e Shqipërisë.
Ndryshimet kryesore përfshijnë kufizimin e numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi nga 300 deri në 700 zgjedhës.
Përqendrimi i qendrave të votimit në godina të mëdha publike, zhvillimin e procesit të numërimit në të njëjtën qendër votimi ku është zhvilluar votimi.
Shpërndarja e mandateve dhe sistemi zgjedhor me metodën Sainte-Laguë.
Propozohet rritja e numrit të bashkive nga 61 në 101 dhe reduktimi i numrit të qarqeve nga 12 në 7.
Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore Parashikohet që kandidati fitues duhet të marrë mbi 50% + 1 të votave të vlefshme, në rast se asnjë kandidat nuk arrin këtë shumicë, organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve më të votuar.
PROPOZIMET KRYESORE TË PAKETËS
1. Riformulimi i bazës ligjore të Kodit Zgjedhor
Projektligji propozon saktësimin e disa përkufizimeve bazë, përfshirë “qendrën e votimit dhe numërimit”, “identifikimin elektronik” dhe të drejtat e zgjedhësve me aftësi të kufizuara, si dhe forcimin e rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në garantimin e parimeve të garës së barabartë.
2. Depolitizimi i administratës zgjedhore
Parashikohet riorganizim i KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, me synimin për profesionalizim dhe depolitizim. Anëtarët do të propozoheshin nga Dhoma e Avokatisë dhe Dhoma e Noterisë, ndërsa sekretarët do të kenë formim juridik.
3. Votimi nga jashtë vendit
Rregullohet regjistrimi elektronik i emigrantëve nëpërmjet platformës së KQZ-së, si dhe çregjistrimi automatik nga listat brenda vendit. Numërimi i votave nga diaspora do të kryhet nga komisione të posaçme profesionale.
4. Organizimi i qendrave të votimit dhe transparenca
Parashikohet kufizimi i qendrave të votimit në 300–700 zgjedhës, zhvillimi i votimit dhe numërimit në të njëjtën qendër, si dhe përdorimi i kamerave për monitorim në kohë reale të procesit zgjedhor.
5. Rritja e transparencës në numërim
Vendosen procedura të reja për verifikimin e kutive të votimit, trajtimin e votave të kontestuara dhe ndalimin e refuzimit të numërimit të kutive të rregullta, duke e konsideruar shkelje të rëndë.
6. Rregulla për listat e kandidatëve
Partitë që kanë marrë të paktën 1% të votave në zgjedhjet e mëparshme përjashtohen nga mbledhja e firmave mbështetëse.
7. Sistemi i mandateve
Propozohet prag kombëtar 1% për ndarjen e mandateve dhe përdorimi i koeficientëve zgjedhorë për rritjen e proporcionalitetit parlamentar.
8. Zgjedhjet vendore
Kryetarët e bashkive do të zgjidhen me shumicë absolute (50% + 1), ndërsa në mungesë të saj organizohet balotazh mes dy kandidatëve kryesorë.
9. Teknologjia në zgjedhje
Parashikohet përdorimi i sistemeve të sigurisë për transmetimin e rezultateve, identifikimi elektronik i votuesve dhe ndalimi i votimit të plotë elektronik.
Sipas hartuesve të projektligjit, miratimi i këtyre ndryshimeve pritet të sjellë:
- rritje të besueshmërisë së procesit zgjedhor,
- depolitizim të administratës zgjedhore,
- transparencë më të madhe në numërim,
- forcim të standardeve demokratike,
- dhe përmirësim të administrimit të votës së diasporës.
Propozuesit theksojnë se paketa përfaqëson një ndërhyrje strukturore në Kodin Zgjedhor, me synim modernizimin e sistemit dhe garantimin e një procesi zgjedhor më transparent, më profesional dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët.















