Një aksident rrugor është regjistruar në afërsi të kryqëzimit të Plasës, në aksin nacional Korçë–Kapshticë, ku një kamion me tonazh të rëndë është përplasur me një automjet tjetër dhe më pas është përmbysur në rrugë.

Sipas të dhënave paraprake, kamioni po lëvizte nga Korça në drejtim të Kapshticës, ndërsa automjeti tjetër nga Kapshtica drejt Korçës. Dyshohet se për shkak të erës së fortë, drejtuesi i kamionit ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me automjetin që vinte në sens të kundërt. Si pasojë, kamioni është përmbysur në mes të rrugës.

Reklame

Përmbysja e mjetit të rëndë ka rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesit të automjetit tjetër, ndërsa qarkullimi në të dyja drejtimet është bllokuar për më shumë se 40 minuta.

Fatmirësisht, të dy drejtuesit e mjeteve kanë shpëtuar pa dëmtime të rënda dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe shërbimeve përkatëse, lëvizja në aksin Korçë–Kapshticë është rikthyer në normalitet, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për rrethanat e plota të aksidentit.

Reklame