Hetimet e SPAK për sulmin me armë zjarri ndaj grupit Bajri në gusht 2024 kanë zbuluar detaje të reja nga një iPhone 13 Pro në përdorim të Arsen Cenit, ku janë identifikuar komunikime të koduara mes anëtarëve të dyshuar të grupit Prendi.

Sipas të dhënave hetimore, nga këqyrja e telefonit të Arsen Cenit janë nxjerrë biseda të zhvilluara në aplikacione të enkriptuara si Signal dhe WhatsApp, të cilat dyshohet se lidhen me organizimin dhe komunikimin e grupit në fjalë.

Reklame

Hetuesit kanë konstatuar se pjesëtarët e grupit përdornin pseudonime për të identifikuar njëri-tjetrin dhe për të referuar persona të tjerë gjatë komunikimeve.

Në këto të dhëna, Arsen Ceni identifikohet me nofkën “Strategu”, e cila rezulton edhe si emërtim i përdorur në llogarinë e tij në WhatsApp, të lidhur me numrin personal.

Andrea Prendi figuron në kontaktet e telefonit me pseudonimin “Q8”, referencë që lidhet me automjetin Audi Q8, i cili sipas hetimeve është përdorur nga ai dhe është i regjistruar në emër të Arsen Cenit.

Ndërkohë, Aleksandër Prendi përmendet me nofkën “Nusja”, ndërsa Gëzim Prendi, i ati i Aleksandrit, Andreas dhe Pjetrit, identifikohet me pseudonimin “Noizy”. Pjetër Prendi, i njohur edhe si Pjetër Dragoti, përmendet me nofkën “Kapedani”.

Sipas hetimeve të SPAK, këto komunikime kanë shërbyer për të dokumentuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të grupit të dyshuar në lidhje me ngjarjen e armatosur ndaj grupit Bajri në gusht të vitit 2024.

Reklame