Durim Bami është transferuar nga burgu i Fushë-Krujës në atë të Peqinit dhe është vendosur në sektorin e sigurisë së lartë, pas vlerësimeve për rrezik të mundshëm ndaj jetës së tij, sipas burimeve nga sistemi i burgjeve.
Sipas raportimeve, Bami po mbahet aktualisht në një regjim të posaçëm sigurie, ku lëvizjet e tij janë të kufizuara ndjeshëm. Ai nxirret në oraret e ajrimit i vetëm dhe pa kontakt me të burgosurit e tjerë, si pjesë e masave të shtuara të sigurisë.
Ky regjim i posaçëm po zbatohet në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha turnet e shërbimit në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Burime pranë sistemit të burgjeve bëjnë me dije se informacionet për rrezik të mundshëm ndaj tij trajtohen me nivel të lartë sigurie dhe nuk bëhen publike për arsye operacionale.
Më herët, pas ekstradimit të tij nga Dubai, Bami kishte kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se i rrezikohej jeta edhe gjatë qëndrimit në paraburgim.
Ndërkohë, në disa institucione të vuajtjes së dënimit janë zhvilluar kontrolle të befasishme, përfshirë burgun e Peqinit dhe atë të Reçit, ku janë kryer verifikime të përsëritura në ditët e fundit.















