Policia ka vënë në pranga shtetasin Marcel Liçaj, i njohur edhe me aliasin Marcel Grembi, i shpallur në kërkim dhe i dyshuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, operacioni u realizua nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Gjatë ndërhyrjes u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Marcel Liçaj alias Marcel Grembi, i cili ishte në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ai dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në vendet e Bashkimit Evropian.
Policia thekson se operacioni është pjesë e hetimeve dhe veprimeve të vazhdueshme kundër grupeve kriminale të organizuara me aktivitet ndërkombëtar.















