Një shpërthim në zonen e Brrylit sot ne Tirane dhe një tjetër ngjarje e mëparshme në zonen e “Xhamllikut” para pak kohesh, rikthejnë një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a janë të sigurta pikat e karburantit dhe gazit që ndodhen mes zonave të dendura të banuara?
Tirana po ndërtohet, po dendësohet dhe po mbushet çdo ditë me më shumë banorë, automjete, pallate dhe biznese.
Por në mes të këtij qyteti vazhdojnë të funksionojnë pika karburanti, disa prej të cilave ndodhen shumë pranë banesave dhe ambienteve ku qëndrojnë qindra njerëz.
Ngjarja e fundit në Brrylit e riktheu këtë shqetësim në qendër të vëmendjes.
Një shpërthim në pikën e karburantit “Eida” shkaktoi zjarr dhe dëme të konsiderueshme, ndërsa një godinë njëkatëshe pranë saj u shemb dhe tre punonjës mbetën të plagosur.
Raportimet paraprake e lidhën shpërthimin me gazin, ndërsa në momentin e ngjarjes një automjet po furnizohej. Pamjet e vendngjarjes sjellin një pyetje të thjeshtë:
Çfarë do të kishte ndodhur nëse shpërthimi do të ishte përhapur drejt pallateve përreth?
Nuk është rasti i parë
Ngjarja e Brrylit nuk është hera e parë që një problem i tillë shfaqet në Tiranë.
Pak kohë më parë, një tjetër pikë karburanti në zonën e “Xhamllikut”, ku nje karburant i cili ndodhet ne mes te zones pati rrjedhje gazi, duke shkaktuar probleme dhe alarm në zonën përreth.
Dy ngjarje në zona të banuara mjaftojnë për të ngritur një debat që nuk duhet të mbyllet me fikjen e flakëve.
Sepse pyetja nuk është vetëm pse shpërtheu karburanti?
Pyetja është:A ishin marrë të gjitha masat që një shpërthim i tillë të mos rrezikonte banorët përreth?
A lejohet karburanti pranë banesave?
Ligjet dhe rregullat shqiptare nuk e ndalojnë në mënyrë absolute vendosjen e pikave të karburantit në zona urbane, por parashikojnë kritere dhe distanca sigurie.
Rregullat përcaktojnë, ndër të tjera, një distancë prej 30 metrash nga pompa e karburantit deri te godina publike, spitale, shkolla, kopshte, çerdhe, institucione dhe objekte ku mund të qëndrojnë më shumë se 50 persona.
Por sot Tirana është shumë ndryshe nga Tirana e viteve kur shumë prej këtyre pikave u ndërtuan.
Pallatet janë shtuar.
Bizneset janë shtuar.
Trafiku është shtuar.
Dhe në disa zona, një pikë karburanti mund të gjendet e rrethuar nga ndërtesa, banesa, makina dhe njerëz.
Kjo ngre një tjetër pyetje:
A mjaftojnë më standardet ekzistuese për një qytet kaq të dendur?
Kush kontrollon sigurinë?
Pas çdo incidenti dëgjojmë të njëjtën pyetje: cili ishte shkaku?
Por ndoshta duhet të pyesim edhe:
Kur është kontrolluar për herë të fundit ajo pikë karburanti?
A janë kontrolluar depozitat?
A janë kontrolluar tubacionet dhe instalimet e gazit?
A funksionojnë sistemet e fikjes së zjarrit?
A janë në gjendje pune sistemet e emergjencës?
A janë respektuar distancat e sigurisë?
A është bërë ndonjëherë një rivlerësim i rrezikut, duke marrë parasysh ndërtesat që janë shtuar përreth?
Dhe mbi të gjitha:
Nëse një pikë karburanti është sot e rrethuar nga pallate, a konsiderohet ende po aq e sigurt sa në momentin kur është autorizuar?
“Mina me sahat” apo biznes i kontrolluar?
Nuk mund të quajmë çdo karburant një “minë me sahat”.
Por as nuk mund të presim një tragjedi më të madhe për të bërë pyetjet që duhen bërë sot.
Karburanti dhe gazi janë produkte me rrezik të lartë. Për këtë arsye ekzistojnë rregulla, standarde teknike, distanca dhe kontrolle.
Problemi është nëse këto rregulla zbatohen realisht dhe kontrollohen vazhdimisht.
Sepse një gabim teknik, një rrjedhje gazi apo një defekt në një zonë të izoluar nuk ka të njëjtin potencial rreziku si i njëjti incident në mes të një lagjeje të mbushur me pallate.
Pyetja që Tirana duhet t’ia bëjë vetes
Ndoshta nuk është momenti të kërkojmë mbylljen e çdo karburanti në qytet.
Por është padyshim momenti të kërkojmë një auditim serioz të të gjitha pikave të karburantit dhe gazit që ndodhen pranë zonave të banuara.
Të dihet sa janë.
Ku ndodhen.
Kur janë licencuar.
Sa larg janë nga pallatet, shkollat dhe institucionet.
Kur janë kontrolluar për herë të fundit.
Dhe nëse plotësojnë sot, jo vetëm në letër, të gjitha kushtet e sigurisë.
Sepse pas shpërthimit të Bërrylit, pyetja nuk është vetëm se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Pyetja është shumë më e madhe:
Sa të sigurta janë “bombat” që kemi vendosur në mes të qytetit?
Dhe a duhet të presim viktima përpara se të kontrollojmë nëse gjithçka është vërtet në rregull?
Lexo edhe
DETAJE TE REJA/ Shpërthen depozita e karburantit te Brryli/ Shembet godina, plagosen 3 punëtorë
Shpërthimi tek Karburant “Eida” te Brryli/ Dalin emrat e 3 të plagosurve, shembet godina















