Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, rezulton i dënuar në Greqi me vendim të formës së prerë, sipas një shkrese të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme drejt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas dokumentit zyrtar, Hajdari është dënuar më 23 qershor 1999 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë për hyrje të paligjshme në territorin grek. Në atë kohë ai ka qenë 17 vjeç dhe ndaj tij është vendosur një masë riedukimi si i mitur.
Në shkresë theksohet se ky dënim nuk ishte deklaruar nga Hajdari në formularët e dekriminalizimit.
Ndërkohë, SPAK e ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Kuçovës për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, pasi dyshohet se ka bërë deklarim të rremë.
Me vendim të Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të datës 25 janar 2024, Hajdari u shpall fajtor dhe u dënua fillimisht me 9 muaj burg, dënim që u ul në 6 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Më pas, masa e sigurisë “arrest me burg” u zëvendësua me 150 orë pune në interes publik.
Shkresa e firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë, Klodjan Braho, konfirmon gjithashtu se vendimi ndaj Hajdarit ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024.
Shkresa e plotë
I nderuar z.Celibashi,
Në përgjigje të shkresës suaj nr. 980 Prot prot, datë 27.04.2026, ardhur dhe protokolluar me datë 29.04.2026, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje shtetasin Kreshnik Riza Hajdari, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal me Nr.80, datë 03.05.2023, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Kreshnik Riza Hajdari.
Pas përfundimit të hetimeve në lidhje me procedimin penal Nr.80, viti 2023, është vendosur dërgimi në gjyq, me kërkesë për gjykim më datë 18.12.2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, për veprën penale të parashikuar nga neni 190/2, i K.Penal.
Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur :
Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/2, të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 (nëntë) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406/1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kreshnik Hajdari i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burgim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 01 shkurt 2024 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06, datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili ka marrë formë të prerë, po në këtë gjykatë me datë 05.07.2024.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,
DREJTUESI I PROKURORISË
Klodjan Braho
















