Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Gjon Shkambi për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke vendosur që ai të vijojë të qëndrojë në burg.
Shkambi, i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese” të kryer në bashkëpunim, kishte kërkuar një masë më të butë, por trupa gjykuese vlerësoi se hetimet duhet të vazhdojnë nën masën “arrest në burg”.
Sipas akuzës, ai dyshohet të ketë qenë nxitësi i nipit të tij, Elvis Shkambi, në krimin e rëndë të ndodhur brenda sallës së gjyqit më 6 tetor 2025.
Ngjarja tronditëse ndodhi pas një vendimi gjyqësor për çështje pronësie, i cili rezultoi në disfavor të familjes Shkambi. Në atë moment, Elvis Shkambi hapi zjarr, duke vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja dhe duke plagosur dy palët kundërshtare, Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj.
Ndërkohë, prokuroria pretendon se Gjon Shkambi ka pasur rol shtytës në këtë akt ekstrem, ndërsa autori i drejtpërdrejtë, Elvis Shkambi, vijon të mbahet në burg për vrasjen që tronditi rëndë sistemin e drejtësisë në vend.















