Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur këtë të diel në zonën e Balldrenit, në Lezhë, ku u ekzekutuan me armë zjarri Kreshnik Mujeci (39 vjeç) dhe bashkëshortja e tij Gentjana Mujeci.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, sulmi dyshohet të jetë kryer nga dy persona të armatosur me kallashnikovë, të cilët kanë zbritur nga një automjet pa targa dhe kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së çiftit. Nga verifikimet paraprake rezulton se mbi automjet janë qëlluar më shumë se 30 plumba, duke e shkatërruar plotësisht.
Makina u bllokua në rrugë, më pas breshëri plumbash
Hetimet tregojnë se atentati ka qenë i mirëorganizuar. Autorët dyshohet se kanë përdorur të paktën dy automjete dhe kanë ndjekur lëvizjet e viktimave gjatë gjithë ditës. Në momentin e sulmit, makina e 39-vjeçarit është bllokuar nga një tjetër mjet që i ka prerë rrugën, duke e detyruar të ndalojë. Menjëherë më pas, atentatorët kanë dalë nga një makinë tjetër dhe kanë qëlluar me breshëri.
Burimet bëjnë me dije se çifti kishte qenë më herët në një restorant në zonë, ku dyshohet se është mbajtur nën vëzhgim nga autorët që prej daljes nga lokali.
Kamerat e sigurisë “kyç” për zbardhjen e ngjarjes
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe po analizon pamjet për të identifikuar autorët dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të krimit.
Si pistë kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes, pasi viktima rezulton i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 2016.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet për kapjen e autorëve.















