Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë finalizoi operacionin e koduar “Green Flat”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në qytetin e Sarandës. Si rezultat i aksionit, u sekuestruan 260 bimë narkotike, 26.6 kg kanabis të përpunuar për shitje dhe pajisje të specializuara për kultivim dhe tharje.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë E. P., 30 vjeç, i kapur brenda apartamentit ku kishte përshtatur hapësirën për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, M. Q., 26 vjeç, është shpallur në kërkim.
Në kuadër të hetimeve u proceduan penalisht edhe 4 punonjës të OSHEE Sarandë, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi apartamenti përdorte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestronte llamba elektrike, automjete, celularë dhe pajisje të tjera të përdorura për kultivim, ndërsa hetimet për kapjen e të shpallurit në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë vazhdojnë. Materialet u referuan në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.














