Një operacion i koduar “Mesnata” është finalizuar me sukses nga policia në Durrës, ku është vënë në pranga një 32-vjeçar që qarkullonte i armatosur.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policia e Shtetit, përmes Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan operacionin pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Reklame

Gjatë ndërhyrjes në lagjen nr. 18, u ndalua një automjet me drejtues shtetasin me iniciale E. K. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti në çantën marsup një armë zjarri pistoletë, të cilën e posedonte pa leje.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u sekuestrua një sasi municioni luftarak. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se 32-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i tij për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Reklame