Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për forcimin e masave të mbrojtjes ndaj prokurorit të Përgjithshëm të Posaçëm Altin Dumani dhe disa prokurorëve të tjerë të SPAK, mes të cilëve edhe Dritan Prençi, i cili po heton zv/kryeministren Belinda Balluku.

Sipas informacioneve, vendimi është marrë nga një komision i posaçëm brenda KLP-së, pas vlerësimit të një sërë të dhënash që lidhen me rrezikun e mundshëm ndaj prokurorëve, për shkak të çështjeve sensitive që ata kanë hetuar dhe dosjeve që kanë firmosur.

Reklame

Burime bëjnë me dije se shtimi i masave të sigurisë lidhet drejtpërdrejt me nivelin e lartë të ekspozimit dhe presionit që vjen nga hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Ndërkohë, për shkak të funksioneve që mbajnë, nën ruajtje të vazhdueshme dhe me eskortë janë gjithashtu edhe vetë kreu i SPAK Klodian Braho, si dhe kryetari i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Erjon Bani.

Po ashtu, masa sigurie janë vendosur edhe për një sërë gjyqtarësh dhe prokurorësh të posaçëm që kanë në shqyrtim apo hetim çështje të ndjeshme, mes tyre prokurorja Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Vladimir Mara dhe të tjerë.

Vendimi i KLP-së vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë së posaçme janë të angazhuara në hetime me ndikim të lartë politik dhe publik, duke e kthyer çështjen e sigurisë së magjistratëve në një prioritet të domosdoshëm institucional.

Reklame