Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur alarmin për situatën në Spitali Kombëtar i Traumës, duke e cilësuar atë kritike dhe me pasoja të rënda për pacientët.
Sipas Xhixhos, spitali ndodhet në një proces rikonstruksioni të plotë, i cili pritet të zgjasë deri në dy vite. Për pasojë, blloku operator qendror është mbyllur dhe rreth 10 salla operatore kanë dalë jashtë funksionit, duke sjellë, sipas saj, një “kolaps të shërbimit shëndetësor”.
Deputetja thekson se mijëra pacientë janë lënë në lista pritjeje, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale po shtyhen me muaj apo edhe vite. Kjo situatë, sipas saj, po detyron qytetarët të drejtohen drejt spitaleve private ose të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
Ajo shton se disa shërbime të rëndësishme, si ortopedia, okulistika, urologjia dhe trajtimi i këmbës diabetike, nuk po ofrohen më, ndërkohë që janë evidentuar edhe infeksione spitalore dhe baktere të rrezikshme në ambientet e sallave operatore.
Në reagimin e saj, Xhixho ka kritikuar edhe kryeministrin Edi Rama për deklaratat mbi “shëndetësinë falas”, duke pretenduar se një pjesë e madhe e shpenzimeve vijon të mbulohet nga vetë qytetarët.
Deputetja bën me dije se ka kërkuar me urgjencë një interpelancë me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar situatën dhe për të marrë masa të menjëhershme.
Sipas saj, gjendja aktuale cenon edhe sigurinë kombëtare, pasi në rast emergjencash të mëdha, vendi rrezikon të mbetet pa një spital funksional për trajtimin e traumave.














