Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër ndaj shkeljeve të rënda në rrugë, duke paralajmëruar masa të forta ndaj drejtuesve të mjeteve që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Përmes një mesazhi publik, Lamallari vuri në shënjestër drejtuesit që kryejnë parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme, duke i cilësuar si sjellje të papranueshme që nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit.
“Ja dhe ‘trimat’ në timon me parakalime të gabuara e manovra tejet të rrezikshme, që kurrsesi s’do të tolerohen nga Policia e Shtetit”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se përveç kontrolleve në terren, rolin kryesor në evidentimin e shkeljeve po e luan edhe teknologjia, e cila, sipas tij, është e pakompromis ndaj shkelësve.
“Nëse mendoni se mund t’i fshiheni efektivëve të rrugores, syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk mund t’i shpëtoni sidoqoftë. Çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë dhe sjellje të tilla do të ndëshkohen”, paralajmëroi Lamallari.
Ministri apeloi për më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri në rrugë, duke theksuar se siguria rrugore mbetet një prioritet kryesor dhe çdo shkelje do të përballet me ligjin.















