Shembja e segmentit rrugor në vendin e njohur si “Arrat e Gurres”, në zonën e Librazhd, ka lënë të bllokuar disa mësues, infermierë dhe mjekë, të cilët nuk kanë mundur të paraqiten në vendet e tyre të punës.

Dëmtimi i rrugës ka ardhur si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke e bërë segmentin të pakalueshëm si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Si rezultat, stafi arsimor dhe ai shëndetësor që shërben në fshatrat përreth ka mbetur i izoluar, ndërsa nxënësit dhe pacientët pa shërbimet përkatëse.

Reklame

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar. Përveç vështirësive në lëvizjen e përditshme, problem serioz mbetet qasja në shërbimet bazë, veçanërisht ato shëndetësore.

Izolimi i përkohshëm i personelit mjekësor shton frikën për emergjenca të mundshme, ndërsa prindërit shqetësohen për ndërprerjen e procesit mësimor.

Kujtojmë se vetëm një ditë më parë ishte planifikuar hapja e aksit Librazhd–Prrenjas, por rrëshqitjet e reja të dheut kanë sjellë bllokimin e përsëritur të rrugës.

Autoritetet pritet të ndërhyjnë për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e qarkullimit, ndërsa situata mbetet problematike për komunitetin lokal që varet nga ky segment jetik.

Reklame