Një konflikt për pagën e një 18-vjeçari që punonte si kamerier në një hotel në zonën e Malit të Robit, në Golem, për pak sa nuk është kthyer në një ngjarje të rëndë kriminale.

I riu, Genti Nela, dyshohet se është dhunuar pasi ka kërkuar pagën e tij nga dy djemtë dhe dhëndri i pronarit të hotelit, si dhe një 20-vjeçar.

Reklame

Pas marrjes së vesh të ngjarjes, xhaxhai i 18-vjeçarit, 47-vjeçari Melison Nela, është nisur i armatosur drejt hotelit, me qëllim hakmarrjen ndaj personave që dyshohet se kishin dhunuar nipin e tij.

Policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka ndaluar automjetin e 47-vjeçarit pranë zonës. Gjatë kontrollit, në një çantë shpine është gjetur një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë.

Melison Nela është arrestuar nga Policia.

Ndërkohë, për dhunimin e 18-vjeçarit janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, djali i pronarit të hotelit, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç. Arbër Habilaj, 36 vjeç, djali tjetër i pronarit të hotelit, është shpallur në kërkim.

Dhëndri 36-vjeçar i pronarit po hetohet në gjendje të lirë.

Kamerat e sigurisë u hoqën pas konfliktit

Gjatë hetimeve, Policia ka konstatuar se ambienti ku kishte ndodhur konflikti ishte pastruar. Gjithashtu, pajisja ku ruheshin pamjet e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.

Ngjarja po hetohet nga autoritetet, ndërsa materialet procedurale pritet t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lexo edhe

Rama shtrëngon radhët, ja çfarë u vendos në mbledhjen me ministrat dhe drejtuesit politikë

Pas arrestimit me Agasin, ish-polici përjashtohet dhe “çarmatoset”: I sekuestrohen 7 armë

Reklame