Aksi rrugor Librazhd–Pogradec vijon të jetë i mbyllur plotësisht prej më shumë se 24 orësh, pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga rrëshqitjet e tokës dhe lëvizjet e terrenit. Ndalimi vlen jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët.

Gjatë inspektimit në terren, drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, deklaroi se situata vijon të degradohet, pavarësisht ndërhyrjeve intensive të kompanisë kontraktore “ANK”, përgjegjëse për lotin ku janë regjistruar dëmtimet më të mëdha.

Reklame

Sipas Kozelit, punimet kanë vijuar gjatë gjithë mbrëmjes me ritme të mira, por ura dhe terreni kanë shfaqur lëvizje të vazhdueshme.“Ura ka pësuar një zhvendosje prej 40 centimetrash, me një lëvizje shtesë prej 7 centimetrash vetëm nga dita e shtunë”, u shpreh ai.

Kreu i ARRSH-së theksoi se dokumentacioni i kontraktorit rezulton i rregullt, ndërsa vendimmarrja për hapat e mëtejshëm do të bazohet në raportin përfundimtar të ekspertëve gjeologjikë. Ka shpresa që aksi të hapet ditën e hënë, nëse situata stabilizohet.

Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Korçës duhet të përdorin:

Maliq–Gramsh–Elbasan

Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Tepelenë

Për mjetet e tonazhit të rëndë rekomandohet kalimi përmes pikave doganore Qafë Thanë dhe Bllatë, në drejtim të Rrugës së Arbrit.

Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të sinjalistikës deri në një njoftim të dytë.

Reklame