Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas protestave të ditëve të fundit kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një sërë memesh satirike dhe duke ironizuar kundërshtarët e investimit.
Në një postim në Facebook, Rama u shpreh se ndonëse nuk i pëlqen retorika e protestuesve, ai vlerëson kreativitetin e autorëve të memeve që kanë qarkulluar në internet.
“RROFTË MEMEMANIA🫵. Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove😍”, shkroi kreu i qeverisë.
Më tej, Rama ironizoi fjalimet e kundërshtarëve të projektit, duke i cilësuar si “krra-krra-krra”, ndërsa theksoi se memet e krijuara rreth debatit publik e argëtojnë më shumë.
“Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve”, shkruan ai.
Kryeministri shtoi se disa prej memeve të preferuara nuk mund t’i publikojë për shkak të përmbajtjes së tyre, ndërsa ritheksoi bindjen se projekti që ka shkaktuar debat do të sjellë transformim të mëtejshëm për Shqipërinë.
“Më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë😁🦩❤️”, përfundon reagimi i Ramës.
Postimi vjen në kulmin e debatit publik për projektin turistik në Zvërnec, i cili ka nxitur protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës.





























