Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “luks të pakontrollueshëm” dhe “shkëputje totale nga realiteti i shqiptarëve”.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi denoncon se Rama ka kryer katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh, në një kohë kur, sipas tij, qytetarët përballen me varfëri dhe pasiguri ekonomike.
“Fluturimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës! Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë presin biletën e largimit nga vendi, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter në dhjetë ditë,” – shkruan Këlliçi.
Deputeti demokrat e cilëson këtë sjellje si dëshmi të “mentalitetit sundues” të Ramës dhe të “varësisë nga padronët ndërkombëtarë”, duke përmendur edhe lidhjet e tij me organizatën Soros.
“Legjitimitetin kryeministri e merr nga padronët e tij jashtë vendit, aty ku gatuhen politikat që shqiptarët i pësojnë,” – shton ai, duke theksuar se Rama “raporton në forumet e Sorosit për zbatimin e axhendave të tij në Shqipëri dhe rajon.”
Në përfundim, Këlliçi bën thirrje që “shqiptarët të presin fijet e ndikimeve të paligjshme në qeverisje dhe të marrin në dorë fatet e veta”, duke e quajtur situatën aktuale “tregues të qartë të dështimit moral dhe politik të kësaj qeverie.”







