Gazetari Osman Stafa ka denoncuar publikisht mungesën e disa medikamenteve jetike në Spitalin Onkologjik, duke e cilësuar situatën si dramatike dhe alarmante për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale.
Sipas Stafës, bëhet fjalë për ilaçe që nuk mund të zëvendësohen dhe janë thelbësore për vijimin e protokolleve mjekësore të trajtimit, ndërsa mungesa e tyre po lë pacientët pa mundësi reale për kurim.
Gazetari rendit katër medikamente që aktualisht mungojnë në Onkologjik:
Phesgo, i domosdoshëm për gratë me kancer gjiri, mungesë që ka nisur që sot
Cetuximab, për pacientët me kancer të zorrës së trashë, mungon prej 1 muaji e 5 ditësh
Erlotinib, për kancerin e mushkërisë, mungon prej 3 javësh
Abirateron, për kancerin e prostatës, gjithashtu mungesë prej 3 javësh
Në reagimin e tij, Stafa shprehet se këto ilaçe janë jetike, nuk lejojnë zëvendësim dhe mungesa e tyre përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve.
Ai i drejton pyetje të drejtpërdrejta Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë institucionale për lënien e pacientëve me kancer pa trajtim, në një kohë kur vetë kryeministri ka cilësuar trafikimin e pacientëve nga sistemi publik në privat si “krim kundër njerëzimit”.
Denoncimi ka ngritur shqetësime të forta në opinionin publik, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet shëndetësore për këtë situatë kritike në Spitalin Onkologjik.
Postimi:















