Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të grabitjes me armë të ndodhur paraditen e sotme në një pikë këmbimi valutor në qendrën tregtare “Concord”, në zonën e “5 Majit”.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:00, kur i dyshuari ka hyrë në ambientet e pikës “Exchange” dhe, nën kërcënimin e një arme zjarri, ka marrë rreth 1.2 milionë lekë të vjetra.
Pas grabitjes, autori është larguar me motor nga vendi i ngjarjes, duke tentuar t’i shpëtojë policisë.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe kontrolleve në terren, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e tij brenda pak orësh.
Luan Maçi, autori i dyshuar i grabitjes së pikës së këmbimit valutor në zonën e 5 Majit në Tiranë, rezulton të ketë përdorur armë të vërtetë gjatë krimit.
Ai u ndalua nga policia në të njëjtën zonë, vetëm pak metra larg banesës ku jetonte me qira. Sipas të dhënave paraprake, në momentin e grabitjes Maçi ka qenë me mjekër, ndërsa menjëherë pas ngjarjes është kthyer në banesë dhe është rruar, me qëllim që të shmangte identifikimin.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar armën e zjarrit si dhe një sasi parash, që dyshohet se janë marrë gjatë grabitjes së pikës së këmbimit valutor. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.















