Karabinierët e Njësisë Hetimore të Bergamos, me ndihmën e stacionit të Cislagos (Varese), kanë arrestuar një shtetas tunizian 47-vjeçar, pjesë e një rrjeti të trafikut të kokainës të drejtuar nga shqiptarë, i cili do të vuajë një dënim prej 6 vite e 1 muaji burg.

Arrestimi lidhet drejtpërdrejt me hetimin e bujshëm “Romano 2017”, që goditi një organizatë kriminale me bazë shqiptare, aktive në provincën e Bergamos, e specializuar në importin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës.

Reklame

Sipas hetimeve, organizata drejtohej nga shtetas shqiptarë, të cilët vepronin nga disa qytete të Bergamos dhe rrethinave. Ata menaxhonin:

importin e kokainës, bazat logjistike, rrjetin e shpërndarjes.

Ndërsa tunizianë dhe afrikanë të veriut përdoreshin si ekzekutorë dhe shpërndarës në terren, duke vepruar si “ushtarë” të strukturës kriminale.

Droga vinte nga Amerika e Jugut, mbërrinte fillimisht në Holandë dhe më pas transportohej drejt Italisë me:

automjete me targa franceze dhe gjermane, dysheme të fshehura dhe vende sekrete për ngarkesën.

Sasia totale e kokainës së futur nga rrjeti vlerësohet mbi 100 kilogramë.

Hetuesit zbuluan se shqiptarët përdornin apartamente me qira si baza për:

ruajtjen e drogës,ndarjen në sasi më të vogla, furnizimin e shitësve afrikanë.

Gjithashtu, u dokumentua një flotë e tërë automjetesh e përdorur për shpërndarjen e lëndëve narkotike në treg.

47-vjeçari i arrestuar së fundmi nuk u kap në valën e arrestimeve të vitit 2019, por ishte dënuar për dorëzimin e 5 kilogramëve kokainë te një bashkombës, në parkingun e një qendre tregtare.

Sipas autoriteteve italiane, ai ishte një element operacional i organizatës shqiptare, me rol të rëndësishëm në qarkullimin e drogës në treg.

Pas arrestimit, ai është transferuar në burgun e Busto Arsizios, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata.

Dosja “Romano 2017” mbetet një tjetër shembull i rolit dominues të grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës, ku shtetas të huaj përdoren si hallka të fundit të një zinxhiri kriminal të mirëorganizuar.

Reklame