Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar me tone të forta duke përgënjeshtruar kategorikisht lajmet për heqjen e ndalimit të qarkullimit me monopatina, duke konfirmuar se udhëzimi vijon të jetë plotësisht në fuqi.
Reagimi i ministres vjen pas një informacioni të transmetuar në një nga ekranet informative në vend, i cili, sipas saj, nuk është i vërtetë dhe rrezikon të krijojë konfuzion te qytetarët.
Koçiu bën të ditur se Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për zbatimin rigoroz të masës, në përputhje me njoftimet zyrtare të shpallura më herët, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet sipas ligjit.
Ministrja thekson se masa ka si qëllim mbrojtjen e jetës dhe sigurisë, veçanërisht të të rinjve, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe respektimin e ndalimit.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të traumës, gjatë periudhës së zbatimit të ndalimit është shënuar një rënie e ndjeshme e numrit të aksidenteve, fakt që e forcon qëndrimin e Ministrisë për vijimin e masës.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës, për të marrë një vendimmarrje të mëtejshme, duke vendosur sigurinë dhe jetën e qytetarëve mbi çdo interes tjetër.
Mesazhi është i qartë: monopatinat mbeten të ndaluara, ndërsa çdo lajm për heqjen e masës cilësohet dezinformim.
POSTIMI I PLOTË:
E PAVËRTETË!
Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari.















