Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, Seno Fishta, ka konfirmuar publikisht rikthimin me ish-bashkëshorten e tij gjatë emisionit “Të guximshmit”, ku dyshja u shfaqën së bashku dhe shkëmbyen puthje në publik, duke i dhënë fund çdo dyshimi mbi ribashkimin e tyre.
Ky zhvillim vjen vetëm pak kohë pasi Seno kishte bërë deklarata për Juelën, ende konkurrente në “BBV”, çka kishte ngjallur reagime të forta dhe diskutime të shumta në rrjet. Pas eliminimit nga shtëpia, ai ishte rikthyer me një buqetë trëndafilash të kuq dhe një poezi dashurie, duke lënë të kuptohej se një lidhje jashtë lojës ishte e mundur.
Megjithatë, gjatë emisionit “Të guximshmit”, Seno bëri të qartë se realiteti i tij sentimental është tjetër: rikthimi pranë ish-bashkëshortes, me të cilën ka edhe fëmijë.
Ribashkimi vjen pas një historie të rëndë personale, të rrëfyer më herët nga vetë Seno. Ai ka treguar se bashkë me ish-bashkëshorten kanë kaluar një periudhë të vështirë emigrimi dhe azili në Francë, ku për rreth gjashtë muaj jetuan në kampe refugjatësh, në çadra dhe në kushte të vështira pasigurie.
Seno ka rrëfyer gjithashtu se vetëm një ditë pas lindjes së vajzës së tij, u detyrua të largohej nga familja për shkak të problemeve ligjore, çka solli arrestimin dhe paraburgimin e tij për 32 muaj në Zvicër. Gjatë kësaj kohe, ish-bashkëshortja mbeti e vetme me fëmijët, një sakrificë që ai e ka pranuar publikisht si tejet të dhimbshme.
Rikthimi i konfirmuar në “Të guximshmit” po shihet nga publiku si një kapitull i ri pas një historie të mbushur me ndarje, mungesë dhe vështirësi ekstreme, si dhe si një kthesë e fortë pas deklaratave të mëparshme të Senos për Juelën.















