Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj Ervin Matës, i dyshuar nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Pas rreth tre vitesh hetime, SPAK ka ngritur ndaj Matës akuzat për “Trafikim të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe vepra penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale ose grupit të strukturuar kriminal.

Reklame

Hetimet janë drejtuar nga shefi i Seksionit për Krimin e Organizuar në SPAK, Vladimir Mara.

250 kilogramë kokainë nga Brazili

Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga Ervin Mata ka trafikuar rreth 250 kilogramë kokainë.

Ngarkesa dyshohet se ishte nisur nga Brazili dhe kishte si destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2022.

Për këtë çështje, ndaj Matës ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest në burg” në tetor 2023.

Më herët, në lidhje me trafikun e kokainës, janë dënuar edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit. Sipas të dhënave të dosjes, dënimet e tyre në total kalojnë 60 vite burgim.

U arrestua në Brazil

Ervin Mata u arrestua në Brazil në muajin prill, në kuadër të procedurave të kërkuara nga autoritetet shqiptare.

Pak ditë më parë, Gjykata Supreme Federale e Brazilit i dha dritën jeshile ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK.

Përplasja e bujshme në ish-Bllok

Ervin Mata është i njohur edhe për drejtësinë shqiptare për shkak të përplasjes së bujshme me Ervis Martinajn në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në vitin 2018.

Gjatë konfliktit mbeti i vrarë Fabian Gaxha, i cili ishte truprojë e Martinajt.

Çështja e trafikut të kokainës tashmë pritet të vijojë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Lexo edhe:

Brazili i hap rrugën ekstradimit të Ervin Matës/ Dyshohet për trafikimin e 250 kg kokainë drejt Europës

Arrestohet në Brazil Ervin Mata, në kërkim nga SPAK për trafik kokaine

Reklame