Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtatë persona në lidhje me humbjen e jetës së 3-vjeçarit Brian Spahiu, pas një ndërhyrjeje dentare të kryer në një klinikë private në kryeqytet.

Sipas organit të akuzës, në gjyq janë dërguar:

Reklame

Mjeku Ronald Xhaxho dhe Marta Gina, të akuzuar për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim;

Ina Xhaxho, e akuzuar për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”;

Elton Serani dhe Erindo Allo, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

D.A. dhe V.H., për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”, e drejtuar nga mjeku Ronald Xhaxho dhe e bija, Ina Xhaxho. Pas ndërhyrjes, fëmija është dërguar në banesë, por brenda pak orësh është transportuar me urgjencë në Spitalin e Pediatrisë në QSUT “Nënë Tereza”, në gjendje kome dhe me insuficiencë respiratore akute. I mituri ka ndërruar jetë më 1 tetor 2023.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit shtesë, të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku kryesor i vdekjes ka qenë shoku septik i rëndë, i cili ka sjellë insuficiencë progresive shumëorganore. Ekspertët kanë konstatuar se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë janë shënuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare, të cilat kanë lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e fëmijës.

Këto shkelje lidhen, ndër të tjera, me:

moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme para operacionit;

mungesën e një diagnoze të saktë dhe të një trajtimi adekuat profilaktik;

kryerjen e një ndërhyrjeje më të gjerë se sa lejohet për një fëmijë 3-vjeçar;

induksionin e anestezisë së përgjithshme për rreth 5 orë, për trajtimin njëkohësisht të shumë dhëmbëve, disa prej tyre me infeksion të pulpës;

nxjerrjen e papërshtatshme të të miturit nga spitali, pa u marrë parasysh rreziqet post-anestezike dhe gjendja e tij klinike.

Hetimi ka provuar gjithashtu se Ina Xhaxho dhe Marta Gina kanë mashtruar prindërit e të miturit, duke marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur, por jo të mbushur. Për këtë fakt ndaj tyre është ngritur akuza e mashtrimit sipas nenit 143/2 të Kodit Penal. Po ashtu, është provuar se Ina Xhaxho ka vijuar ushtrimin e aktivitetit në mënyrë të paligjshme edhe pas ngjarjes, pa rinovuar licencën pranë Urdhrit të Stomatologut.

Gjatë hetimeve janë konstatuar shkelje të rënda edhe në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Elton Serani dhe Erindo Allo, për të cilët është ngritur akuza për “Shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, shkelje janë evidentuar edhe në veprimet e mjekëve roje të pediatrisë, V.A. dhe D.S., të cilët nuk kanë zbatuar protokollet mjekësore në përcaktimin e diagnozës dhe trajtimin e duhur me antibiotikë. Prokuroria thekson se mosveprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim të rëndë të gjendjes shëndetësore të të miturit, por nuk kanë qenë shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes, e cila lidhet kryesisht me veprimet dhe mosveprimet e mjekëve Ronald Xhaxho, Ina Xhaxho dhe Marta Gina.

Reklame