Dhomat e Specializuara në Hagë nuk do të pranojnë më parashtresa të reja lidhur me rishikimin e paraburgimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi çështja gjyqësore ndaj tij dhe bashkë të akuzuarve është drejt përfundimit.
Vendimi mban firmën e kryegjyqtarit Charles Smith, i cili ka urdhëruar palët të mos paraqesin më parashtresa të tjera në lidhje me rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të Thaçit.
Sipas vendimit, ish-presidenti i Kosovës do të vijojë të qëndrojë në paraburgim deri në përfundimin e procedurave gjyqësore dhe shpalljen e aktgjykimit në çështjen e përbashkët ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktgjykimi në këtë rast pritet të shpallet më 16 shtator 2026.
Ndërkohë, për Thaçin vijon edhe një çështje tjetër gjyqësore, që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe ndikimin te dëshmitarët.
Vendimi i fundit i Hagës nënkupton se, në këtë fazë të procesit, mundësitë për një rishikim të mëtejshëm të paraburgimit të Thaçit janë kufizuar, ndërsa procesi kryesor gjyqësor është tashmë pranë shpalljes së vendimit.
Lexo edhe:
Nga 11 deri më 15 maj seanca ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Haga cakton datën e vendimit për Hashim Thaçin dhe ish-krerët e UÇK-së, ja kur shpallet aktgjykimi















