Qarkullimi i automjeteve në aksin Durrës–Tiranë do të bllokohet për disa orë gjatë netëve të 6 dhe 7 gushtit, për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri të Kasharit, pjesë e projektit për zgjerimin e autostradës.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), bllokimi do të jetë në intervalin 00:00–04:30, kohë gjatë së cilës do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit.
Gjatë këtij orari do të bllokohen dy korsitë e lëvizjes në drejtimin Durrës–Tiranë, ndërsa qarkullimi në sensin Tiranë–Durrës do të vijojë normalisht.
Si do të devijohet trafiku?
ARRSH bën të ditur se automjetet që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen përmes rampave të autostradës Thumanë–Kashar.
- Mjetet me destinacion Aeroportin “Nënë Tereza” dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë.
- Automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore dhe më pas do të rikthehen në autostradën Durrës–Tiranë, pas mbikalimit të Kasharit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë udhëtimet dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur gjatë zhvillimit të punimeve.
“Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këtë ndërhyrje”, thuhet në njoftimin e ARRSH.
Lexo edhe:
Autostrada Tiranë–Durrës hapet plotësisht deri te mbikalimi i Rinasit








