Partia Socialiste hyn në ditët e fundit të gushtit me një axhendë të ngjeshur politike, ndërsa kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë disa takime me drejtuesit socialistë dhe kabinetin qeveritar.

Në qendër të diskutimeve janë dokumentet e brendshme të PS-së, puna e ministrive gjatë tetë muajve të parë të vitit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Reklame

Sipas burimeve të Top Channel, të dielën në orën 11:30, në vilën qeveritare në Pogradec do të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.

Takimi pritet të fokusohet te dokumenti “Besa” dhe dokumenti tjetër i njohur si “Prania e Besës”, të dorëzuar në fund të korrikut pranë grupit parlamentar socialist. Rama pritet të marrë prej drejtuesve socialistë vlerësime dhe propozime mbi këto dokumente, me synim përpunimin e tyre dhe hartimin e një dokumenti përfundimtar.

Në të njëjtën kohë, diskutimet do të lidhen edhe me organizimin politik të PS-së dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Ministrat raportojnë për janar-gushtin, Rama përgatitet për “provimin e performancës”
Axhenda e kryeministrit në Pogradec nuk përfundon me takimin e së dielës. Në mbrëmje, Rama pritet të zhvillojë një darkë me drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat.

Të hënën, ministrat do të përballen me atë që në PS shihet si një lloj “provimi i performancës”.

Në vilën qeveritare do të zhvillohet një mbledhje informale e qeverisë, e njohur si “retreat”, ku secili ministër do të raportojë për punën e dikasterit të tij gjatë periudhës janar-gusht 2026.

Këtë herë, ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në takim do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.

Raportimi nuk do të kufizohet vetëm te puna e institucioneve. Në vëmendje do të jetë edhe mënyra se si ministrat janë paraqitur në media dhe në rrjetet sociale gjatë këtyre muajve.

Por axhenda e Ramës nuk mbyllet me takimet në Pogradec. Sipas burimeve të Top Channel, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë janë përdorur nga Rama edhe për ndryshime në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, mbledhja e radhës mund të marrë një rëndësi të veçantë nëse kryeministri vendos të ndërhyjë në drejtimin e disa ministrive.

Në PS pritet të shihet nëse kjo axhendë do të sjellë edhe ndryshime në kabinet, përfshirë mundësinë e lëvizjeve në të paktën gjashtë ministri.

Takimet në Pogradec dhe mbledhja e pritshme e Asamblesë në shtator shënojnë nisjen e një periudhe intensive politike për Partinë Socialiste./ TOPCHANNEL

Lexo edhe:

Deri në vitin 2030, rreth 20% e rrugëve me pagesë! Qeveria Rama nuk heq dorë nga PPP

Berisha: Edi Rama është një “gangrenë”, integrimi në BE mbahet peng nga qeveria

Reklame