Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër përfaqësues të Bashkimit Europian, duke akuzuar ambasadorin Stefano Gonzato se po “përçon propagandën e paguar të Edi Ramës” dhe po dezinformon qëllimisht institucionet europiane për opozitën shqiptare.

Gjatë një deklarate publike, Berisha theksoi se Gonzato u ka thënë deputetëve të Parlamentit Europian se “kryetari i PD nuk është pro-perëndimor” dhe se axhenda e tij është “MAGA, jo integrimi europian”.

Reklame

Sipas Berishës, kjo është një shpifje e pastër:
“PD ka qenë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit europian. Të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë drejt BE janë vepër e kësaj partie.”

Ai shtoi se vlerat konservatore, të cilave u referohet, janë pjesë e traditës së gjatë të PD-së:
“32 vite më parë vendosëm sistemin fiskal më konservator dhe më të ulët në rajon, mbrojtëm familjen dhe interesin kombëtar. Ne jemi krenarë për këto vlera.”

Berisha akuzoi gjithashtu zyrtarë të BE-së se kanë përhapur qëllimisht një tjetër “mashtrim”, sipas të cilit këshilltari amerikan Chris LaCivita do të sillte një “çek prej 9 miliardë eurosh” për Shqipërinë nëse vendi “shkëputej nga BE”.

“Kjo është propagandë e Edi Ramës, e shpërndarë në Bruksel në çdo nivel. Askush nuk mund ta gënjejë publikun me pretendime se SHBA kërkon që Shqipëria të largohet nga BE. E kundërta është e vërtetë,” deklaroi Berisha.

Ai theksoi se kjo klimë dezinformimi po krijon një terren të rrezikshëm për deklarata të tilla si ajo e zonjës Kos, por sipas tij, ajo “nuk është e vetme”.

Reklame