Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish ndaj deklaratës së përfaqësueses së BE-së në Tiranë, Marta Kos, duke e cilësuar atë “të frymëzuar nga propaganda e paguar e Edi Ramës dhe ekstremizmit të majtë politik”.
Berisha tha se deklarata e PD-së pas qëndrimit të Kos kishte denoncuar publikisht “shkeljen e rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe kombëtar për vlerësimin e zgjedhjeve”, duke e konsideruar qëndrimin e saj të motivuar politikisht.
Sipas tij, qëndrimi i zonjës Kos bie ndesh me standardet që duhet të respektojë një përfaqësues i Bashkimit Europian.
Berisha tha se para mbërritjes në selinë e PD-së ka lexuar reagimin e zëdhënësit të Komisionit Europian, i cili — sipas tij — përfaqëson qëndrimin zyrtar të KE-së dhe “nuk përputhet me deklaratat e Marta Kos”.
“E falënderoj Komisionin Europian për reagimin. PD mbetet tërësisht e përkushtuar ndaj integrimit europian, që është e ardhmja më e mirë për shqiptarët,” deklaroi Berisha.
Bersha shtoi se, megjithëse PD është pro-integrimit, Shqipëria nën qeverisjen aktuale nuk i plotëson kriteret dhe kushtet e nevojshme për anëtarësim në BE.
“Sot Shqipëria, përveç pozicionit të saj gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkohen për anëtarësim,” theksoi ai.















