Advertisement

Gjobat që arrijnë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë do të jenë instrumenti kryesor i ligjit të ri për të detyruar platformat dhe ofruesit e shërbimeve online të heqin përmbajtjet e dëmshme në internet. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar mekanizmin administrativ që i jep Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kompetenca të drejtpërdrejta ndëshkuese ndaj subjekteve që nuk zbatojnë vendimet gjyqësore për mbrojtjen e viktimave nga dhuna digjitale.

Sipas vendimit, AKEP do të vendosë gjoba administrative nga 30 mijë deri në 500 mijë lekë për çdo 24 orë vonesë ndaj ofruesve të shërbimeve online që nuk heqin, bllokojnë apo fshijnë përmbajtje digjitale të përcaktuara nga gjykata si masa mbrojtëse. Në këtë kategori përfshihen publikimi i imazheve intime pa pëlqimin e viktimës, përdorimi i llogarive apo fjalëkalimeve për përndjekje, si dhe profilet, lidhjet elektronike apo platformat e përdorura për ngacmim dhe dhunë online.

Reklame

Vendimi përcakton se gjobat e vendosura nga AKEP përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit. Subjektet e ndëshkuara përfitojnë një ulje automatike prej 15% të shumës së gjobës nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit. Paralelisht, ligji garanton të drejtën e ankimit brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.

Një element i rëndësishëm i kuadrit të ri ligjor është zgjerimi i juridiksionit territorial të autoriteteve shqiptare. Masat mbrojtëse dhe administrative zbatohen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por AKEP dhe autoriteti rregullator i medias audiovizive kanë të drejtë të urdhërojnë heqjen, bllokimin ose kufizimin e përmbajtjeve digjitale pavarësisht se ku ndodhen serverët apo ofruesit e shërbimit.

Në raste të veçanta, gjykata civile mund të marrë masa edhe më të ashpra, duke urdhëruar ndalimin e çdo forme kontakti, si online ashtu edhe offline, si dhe sekuestrimin e mjeteve digjitale të përdorura për ushtrimin e dhunës, për aq kohë sa këto mjete ndodhen në territorin shqiptar.

Procedurat praktike, formatet e kërkesave dhe mënyra e njoftimit elektronik për zbatimin e këtyre masave do të miratohen përmes një vendimi të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor, autoritetit përgjegjës për drejtësinë dhe AKEP. Synimi i këtij procesi është standardizimi dhe përshpejtimi i ndërhyrjeve institucionale në mjedisin digjital, në funksion të mbrojtjes së viktimave dhe forcimit të përgjegjshmërisë së platformave online.

Reklame