Advertisement

Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë dy të rinjtë e arrestuar pas një tentative për t’i marrë 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Sipas hetimeve të bëra publike, dy të rinjtë dyshohet se përdorën një profil të rremë në rrjetet sociale me emrin e Taulant Ballës për të kontaktuar Dukën.

Reklame

Pretendimi ishte se komunikimi vinte nga vetë politikani, me të cilin kreu i FSHF-së kishte njohje.

Kërkesa ishte për 100 mijë euro, fillimisht në formën e kriptomonedhave.

Duka e kuptoi mashtrimin dhe njoftoi policinë

Armand Duka dyshohet se e kuptoi se pas profilit nuk qëndronte Taulant Balla dhe iu drejtua policisë.

Më pas nisi operacioni i koduar “Seen”, ku policia përdori edhe një agjent të infiltruar për të çuar deri në fund komunikimin me të dyshuarit.

Duka u tha personave që e kishin kontaktuar se nuk merrej me transaksione të tilla dhe i orientoi drejt “djalit të tij”.

Në këtë pikë, komunikimin e mori një agjent i infiltruar, i cili u prezantua si djali i Dukës.

Agjenti u tha të dyshuarve se nuk mund të kryente pagesën në kriptovaluta, por mund t’ua dorëzonte shumën cash.

Dy të rinjtë pranuan.

Kurthi në Elbasan

Sipas raportimeve, vendi i dorëzimit u përcaktua në Elbasan.

Policia organizoi operacionin dhe në momentin kur pritej marrja e shumës prej 100 mijë eurosh, Forcat Operacionale ndërhynë dhe arrestuan dy të rinjtë.

Njëri prej tyre tentoi të largohej me vrap, por u ndoq dhe u kap nga efektivët.

Policia thotë se hetimet po vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Dyshimet për Florian Gjergjin

Në hetim është edhe pista se pas dy të rinjve mund të qëndrojë Florian Gjergji, i cili është në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet nga autoritetet se është lidhur me skema të ngjashme mashtrimi.

Sipas raportimeve, një nga mënyrat e dyshuara të funksionimit të këtyre skemave është përdorimi i emrave dhe identiteteve të personazheve publike për t’u kërkuar para personave të tretë.

Megjithatë, roli konkret i Gjergjit në këtë rast duhet të përcaktohet nga hetimi.

Taulant Balla: “Qytetarët të bëjnë kujdes”

Pas arrestimeve, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi duke përgëzuar Policinë e Shtetit dhe u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë menjëherë raste të ngjashme.

Balla kërkoi gjithashtu që platformat online të forcojnë kontrollin ndaj llogarive false, pasi identiteti i tij ishte përdorur në këtë rast.

Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse pas dy të arrestuarve ka persona të tjerë.

Lexo edhe

Dy të rinj tentuan të mashtrojnë Dukën duke u prezantuar si Balla, reagon deputeti i PS: Tregoni kujdes nga profilet falce

2 të rinjtë përpiqen t’i zhvasin 100 mijë euro Armand Dukës, i prezantohen si Taulant Balla! (EMRAT)

Reklame