Një operacion i rrallë dhe i zhvilluar nën masa ekstreme sigurie u realizua në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, ku 15 të burgosur me rrezikshmëri tepër të lartë u transferuan nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, institucioni që konsiderohet aktualisht si më i sigurti në Shqipëri.
Transferimi u krye pak pas mesnate, nën shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore dhe forcave të shumta të sigurisë. Kolona mbërriti në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15, ndërsa përgjatë gjithë operacionit u zbatuan protokolle të rrepta sigurie për të shmangur çdo incident. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se mes të transferuarve ndodhen eksponentë të njohur të botës së krimit, përfshirë edhe emra me peshë si Lul Berisha.
Vendimi për këtë zhvendosje masive u mor menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, një ngjarje që tronditi rëndë sistemin penitenciar dhe nxori në pah dobësi serioze në sigurinë e burgjeve. Kjo arratisje u konsiderua si “katalizatori” që vuri në lëvizje një riorganizim urgjent të skemës së sigurisë dhe shpërndarjes së të burgosurve në nivel kombëtar.
Në fokus të operacionit ishin personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani qëndronin në Burgun e Durrësit, i njohur ndryshe edhe si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve më komode dhe profilit të disa prej të dënuarve. Fillimisht ishte paralajmëruar që një pjesë e tyre të transferoheshin drejt burgut të Fierit apo institucioneve të tjera, por elementët më problematikë u përzgjodhën të sistemohen në Peqin, ku funksionon një seksion i posaçëm i sigurisë së lartë me kontroll maksimal.
Burime jo zyrtare konfirmojnë se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në “sitë”, për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së secilit. Një ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, urdhëroi hartimin e një plani të ri kombëtar rishpërndarjeje, ku të burgosurit do të ndahen sipas rrezikut shoqëror dhe profilit kriminal.
Pika kyçe e këtij urdhri ishte largimi i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga Burgu i Durrësit dhe sistemimi i tyre në një nga 7 burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në vend. Deri para këtij vendimi, në një seksion të veçantë në Durrës ndodheshin 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një totali prej 54 të dënuarish dhe 152 paraburgosurish.
Operacioni i transferimit drejt Peqinit shihet si një sinjal i fortë i shtetit për rikthimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në sistemin penitenciar, veçanërisht pas rasteve të përsëritura të shkeljeve, arratisjeve dhe gjetjes së telefonave celularë të fshehur gjatë kontrolleve në Burgun e Durrësit.
Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, ku tashmë po përqendrohen elementët më të rrezikshëm të botës së krimit, në një përpjekje për të frenuar incidentet dhe për të forcuar autoritetin e shtetit brenda mureve të burgjeve.













