Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj iniciativës së Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave përmes rrugës gjyqësore, duke e cilësuar atë si një përpjekje të papranueshme, të pajustifikueshme dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Në një deklaratë me tone të forta politike, Rama akuzoi gjyqtarët se po sillen si subjekt politik dhe jo si një pushtet që duhet të garantojë paanësi.

“Është hera e dytë që ndodh që ka një habi të shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur unë flas në emër të asaj që përfaqësoj me votën e shqiptarëve, në mbrojtje të interesit për të cilin jemi në gjyq. Ne jemi palë”, deklaroi Rama.

Reklame

Kreu i qeverisë shkoi më tej, duke e krahasuar sjelljen e Shoqatës së Gjyqtarëve me një arbitër që kontrollon gjithçka në fushë:
“Shoqata e gjyqtarëve shfaqet befas si parti politike, me një gjuhë të papranueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor. Është si arbitri që thotë: bilbili është i imi, topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier”.

RRITJE PAGASH ME GJYQ: SHIFRAT QË SHOKOJNË

Rama publikoi shifra konkrete, duke theksuar se kërkesa e Shoqatës së Gjyqtarëve kap vlerën e 37 milionë eurove shtesë nga buxheti i shtetit.
“Shqiptarët duhet ta dinë: kërkoni që paga e gjyqtarit të Shkallës së Parë të shkojë nga 3360 euro deri në 5000 euro, e gjyqtarëve të Apelit nga 3480 në 5500 euro. Kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë në 5800 euro”, tha ai.

Sipas Ramës, kërkesa shtrihet edhe për SPAK-un:
“Ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK të shkojnë në 9800 euro, ndërkohë që sot pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK janë rreth 6500 euro”.

“PAGAT TUAJA JANË MË TË LARTAT NË RAJON”

Kryeministri theksoi se pagat aktuale të gjyqtarëve janë tashmë ndër më të lartat në rajon dhe të krahasueshme me vendet e BE-së.
“Pagat tuaja janë goxha më të larta se në rajon dhe të barabarta me një vend të BE-së si Greqia. Doni t’i rrisni me 2–3 mijë euro dhe në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe as Kushtetutë që jua jep këtë të drejtë”, u shpreh Rama.

Ai akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve për etiketime politike dhe për sulme publike ndaj qeverisë, mediave dhe Kryeministrit:
“Si guxoni të flisni për përbaltje dhe histeri? Ju jepni gjykime politike, ndërkohë që duhet të garantoni pavarësi dhe paanësi. Me këtë tentativë, doni të jeni ligji”.

“37 MILIONË EURO DUHET TË HIQEN NGA DIKU TJETËR”

Rama paralajmëroi se një rritje e tillë pagash do të kishte pasoja direkte për financat publike:
“Jam shumë i shqetësuar sepse 37 milionë euro nga buxheti i shtetit duhet të hiqen nga diku tjetër. Ky është një precedent i rrezikshëm. Kurrë më parë nuk e keni pasur këtë pushtet për t’i rritur vetes pagat me gjyq”.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve e ka surprizuar thellësisht:
“Jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm. Kjo është një përpjekje e papranueshme për t’i imponuar parlamentit dhe qeverisë, përmes pushtetit gjyqësor, rritjen e pagave për veten”.

Përplasja mes ekzekutivit dhe gjyqësorit pritet të thellohet, ndërsa debati për pagat e gjyqtarëve po shndërrohet në një krizë të hapur politike dhe institucionale.

Reklame