Gjykata e Tiranës ka vendosur të shtyjë ekzekutimin e dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, duke urdhëruar lirimin e saj nga burgu i grave në Pojskë, ku qëndronte së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.
Vendimi është marrë pas kërkesës së avokatit mbrojtës Bari Shyti, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë ndaj 34-vjeçares.
Dorina Sejdini ishte arrestuar pak ditë më parë, pasi u kthye në Shqipëri nga Gjermania dhe hyri në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Muriqanit. Ajo udhëtonte së bashku me familjen e saj.
Sipas autoriteteve, ndaj Sejdinit ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
Pas njoftimit nga Policia për ekzistencën e vendimit gjyqësor, 34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin e Policisë Nr. 6. Më pas, ajo u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë.
Fillimisht, foshnja njëvjeçare nuk ndodhej në institucion. Megjithatë, një ditë më vonë, fëmija iu dërgua nënës së saj, pasi 34-vjeçarja ushtroi të drejtën e parashikuar nga ligji për të mbajtur pranë vetes fëmijën nën moshën tre vjeç.
Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur të familjes, 7 dhe 2 vjeç, kanë mbetur nën kujdesin e familjarëve.
Me vendimin e fundit, Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e Dorina Sejdinit dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg.
Drejtoria e Burgjeve reagon për 34-vjeçaren në burg me foshnjën: Gjithçka është bërë sipas ligjit














