Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me raportin për reformën territoriale, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe duke akuzuar mazhorancën se po tenton të miratojë një dokument që, sipas tij, nuk është diskutuar dhe miratuar në komisionin parlamentar.
Në një deklaratë të tij, Berisha tha se Partia Demokratike u angazhua në Komisionin Parlamentar për Reformën Territoriale pas kërkesës së Komisionit Evropian, por edhe në përgjigje të kërkesave të qytetarëve shqiptarë.
Sipas Berishës, opozita ka punuar për një raport të veçantë prej më shumë se 400 faqesh dhe ka marrë pjesë në dhjetëra konsultime në kuadër të procesit për reformën territoriale.
“PD iu përgjigj një kërkese të prerë të Komisionit Evropian për angazhimin në komision parlamentar për reformën territoriale si një nga kushtet e pakta të vendosura nga ky komision për progresin e Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi Berisha.
Ai tha se opozita kishte marrë gjithashtu kërkesa të shumta nga qytetarët për t’u përfshirë në proces dhe për të mbrojtur interesat e tyre.
Berisha kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po procedohet me raportin e reformës territoriale, duke pretenduar se dokumenti nuk është miratuar në komisionin parlamentar.
“Raporti që pretendoni të paraqisni sot është absolutisht i paligjshëm. Nuk është miratuar në komisionin parlamentar dhe në praktikën dhjetëra vjeçare, komisionet bipartizane kanë shtyrë sa herë ka qenë e nevojshme afatet”, u shpreh kreu i PD-së.
Sipas tij, raporti i paraqitur nga mazhoranca nuk është diskutuar në komisionin për reformën territoriale dhe për këtë arsye nuk duhet të dërgohet për shqyrtim në Kuvend.
“Ju sot paraqiteni këtu me një raport që nuk është paraqitur në komisionin e reformës. Ky është një brutalitet. Ky është një akt me të cilin ju doni me çdo kusht të largoni pushtetin nga qytetarët”, tha Berisha.
Ai deklaroi se opozita ka përgatitur një raport të sajin, por nuk do ta dorëzojë atë pa u diskutuar në komision së bashku me raportin e mazhorancës.
“Ja ku është raporti ynë, por ne, gjersa ky raport nuk është i debatuar në komisionin e ngritur, ne nuk e dorëzojmë, se duhet që edhe ai që ka përgatitur pala juaj, edhe ky, të paraqiten në komision, të debatohen, pastaj të vijnë në Parlament”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha akuzoi mazhorancën se po vepron në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe normat institucionale.
Ai paralajmëroi gjithashtu protesta të qytetarëve, duke deklaruar se opozita do të bëjë gjithçka që shqiptarët të reagojnë kundër reformës.
“Ju vërtet mund të bëni një akt të tillë, por ne absolutisht do bëjmë gjithçka që ata të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme të fuqishme kundër jush, në mënyrë që të bëjnë drejtësinë që i takon”, përfundoi Berisha.
Protesta para Kuvendit, Berisha kërkon vetëshpërndarjen e Parlamentit















