Dhoma e Avokatisë Sarandë ka reaguar me kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama për publikimin e fotografive të personave që kanë marrë pjesë në protesta, mes tyre edhe studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirje në vepra penale.

Në një deklaratë publike, Dhoma e Avokatisë paralajmëron se ekspozimi i individëve në këtë mënyrë rrezikon të cenojë të drejtat e tyre themelore, përfshirë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Reklame

Sipas avokatëve të Sarandës, publikimi i fotografive të individëve duke i lidhur ata me akuza penale bie ndesh me frymën e legjislacionit shqiptar dhe standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Deklarata nënvizon se edhe në rastet kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, kjo nuk e justifikon çdo formë të ekspozimit apo stigmatizimit publik.

Krahasimi me “fletërrufetë” e së kaluarës komuniste

Kritika më e fortë e Dhomës së Avokatisë Sarandë lidhet me krahasimin që ajo bën mes publikimit të fotografive të protestuesve dhe praktikës së njohur si “fletërrufe” gjatë regjimit komunist.

“Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të ‘fletërrufeve’, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike”, thuhet në deklaratë.

Përmes këtij reagimi, Dhoma e Avokatisë Sarandë ngre shqetësimin për pasojat që mund të ketë ekspozimi publik i personave të përfshirë në protesta përpara se përgjegjësia e tyre penale të përcaktohet sipas procedurave ligjore.

Reagimi vjen në një kohë kur protesta studentore kundër qeverisë vijon në Tiranë, ndërsa publikimi i fotografive të protestuesve dhe mënyra e trajtimit të tyre në debatin publik janë kthyer në çështje diskutimi.

Lexo edhe

Dorëhiqet Blerina Gjylameti nga drejtimi i AKU-së, Rama kërkoi largimin e mbi 130 drejtuesve

Rama shtrin sërish dorën e dialogut, këtë herë shtron sofrën para kryeministrisë!

Reklame