“Kjo çështje është thjesht politike”, deklaroi Ermal Beqiri në gjykatën franceze, ndërsa avokati i tij kritikoi garancitë e dërguara nga Shqipëria.

Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka rrëzuar kërkesën e Ermal Beqirit për lirimin nga paraburgimi. Biznesmeni shqiptar do të vijojë të qëndrojë në burgun e Beauvais, ndërsa drejtësia franceze shqyrton kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.

Reklame

Vendimi u dha të premten, më 23 tetor, pas shqyrtimit të çështjes në kuadër të procedurës së ekstradimit. Beqiri kundërshton dorëzimin te autoritetet shqiptare, ku kërkohet nga SPAK për dyshime lidhur me abuzimet me tenderët e AKSHI-t.

Gjatë seancës, mbrojtja e tij vuri në pikëpyetje dokumentet e dërguara nga autoritetet shqiptare, ndërsa vetë Beqiri pretendoi se çështja ndaj tij ka prapavijë politike.

Avokati i Beqirit: “Janë drafte, nuk janë punë serioze”

Në gusht, dhoma e hetimeve kishte kërkuar informacione shtesë përpara se të merrte një vendim mbi ekstradimin. Autoritetet shqiptare kanë përcjellë tri dokumente: një letër nga ministri i Drejtësisë, një dokument nga drejtuesi i Prokurorisë Kundër Korrupsionit lidhur me garancitë juridike dhe një dokument nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Avokati i Beqirit, Nicolas Paganelli, i ka cilësuar këto dokumente të diskutueshme si për nga forma, ashtu edhe për nga përmbajtja.

“Janë drafte, nuk janë punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i asistencës pas shitjes për garanci diplomatike të paplota”, deklaroi ai në sallën e gjyqit.

Nga ana e tij, Beqiri shprehu mosbesim ndaj drejtësisë shqiptare, duke pretenduar se çështja ka karakter politik.

“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në Amiens ka argumentuar se ekstradimi duhet të kryhet. Sipas prokurores së përgjithshme, gjykatës nuk i kërkohet të japë një vlerësim të përgjithshëm për sistemin gjyqësor shqiptar, por të shqyrtojë çështjen brenda kompetencave të saj.

Pse kërkohet Ermal Beqiri nga SPAK?

Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqiri është një nga organizatorët e një rrjeti që ka përfituar kontrata publike në fushën e teknologjisë së informacionit, duke shtrembëruar konkurrencën dhe përdorur intimidimin.

Sipas raportimit të medias franceze Courrier Picard, hetimet përfshijnë 19 procedura prokurimi publik, me një vlerë të përllogaritur prej 59 milionë eurosh.

Ndaj Beqirit janë ngritur akuza që lidhen me konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tenderët publikë, grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Këto janë akuza të ngritura nga organet e hetimit dhe jo fakte të provuara me një vendim përfundimtar për këtë çështje.

U arrestua pas fluturimit mbi centralin bërthamor

Beqiri u arrestua në Francë pasi fluturoi me avionin e tij privat në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly, mes Dieppe dhe Le Tréport. Më 27 korrik, ai u tha autoriteteve franceze se kishte gabuar me lartësinë dhe se në momentin e kalimit mbi central po fliste në telefon me nënën e tij.

Në kuadër të një procedure për pranimin e fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Megjithatë, nuk u lirua, pasi autoritetet shqiptare paraqitën kërkesën për ekstradimin e tij.

Autoritetet franceze kanë sekuestruar gjithashtu pasuri që lidhen me të, përfshirë një kështjellë të shekullit të XVI pranë Parisit, llogari bankare me vlerë mbi 2.1 milionë euro, dy apartamente në jug të Francës, automjete, një jaht dhe një avion të lehtë.

Për momentin, Beqiri mbetet në paraburgim në Francë. Vendimi përfundimtar për ekstradimin e tij do të përcaktojë nëse ai do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare për t’u përballur me procedurat penale në Shqipëri.

Lexo edhe

“Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur”, gjykata franceze lë në qeli Ermal Beqirin

2,1 milionë euro pasuri të sekuestruara, Ermal Beqiri kërkon lirinë në Francë

Reklame