Kryeministri Edi Rama ka akuzuar persona që i cilësoi të radikalizuar nga ANTIFA, ekstremizmi fetar dhe krimi i organizuar për dhunën gjatë protestave të ditëve të fundit. Ai paralajmëroi masa të reja për meritokracinë, strehimin dhe sigurinë, ndërsa përsëriti ftesën për dialog me protestuesit.
Gjatë një konference për mediat, Rama deklaroi se, sipas tij, aktet e dhunës nuk janë kryer nga masa e madhe e protestuesve, por nga grupe të caktuara personash të radikalizuar.
“Ai terror urban u shkaktua jo nga një masë e madhe njerëzish, por nga njerëz të radikalizuar nga ANTIFA, të radikalizuar fetarë dhe të radikalizuar nga krimi për të ushtruar dhunë”, u shpreh kryeministri.
Rama pretendoi gjithashtu se pas personave që, sipas tij, kanë nxitur dhunën, qëndrojnë krimi i organizuar dhe “duar të huaja”. Ai tha se autoritetet po ndjekin zhvillimet dhe po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë.
Këto deklarata vijnë pas disa ditësh protestash të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Rama: Protesta bëhet për t’u dëgjuar, jo për të përmbysur qeverinë
Kryeministri përsëriti ftesën për dialog, duke argumentuar se protesta paqësore duhet të shërbejë për të paraqitur kërkesat e qytetarëve dhe për të hapur rrugën e negociatave me qeverinë.
Ai tregoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me një pedagog të Mjekësisë, të cilin e përshkroi si person me qëndrime në anën tjetër të spektrit politik.
Sipas Ramës, gjatë bisedës janë diskutuar arsye konkrete dhe legjitime që e kishin shtyrë pedagogun t’i bashkohej protestës.
“Një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Për t’u ulur në tryezë. Nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo shumicën qeverisëse me dhunë”, deklaroi Rama, duke theksuar se dhuna është e dënueshme.
Kryeministri pretendoi se disa prej personave që dëshirojnë dialogun hezitojnë ta bëjnë këtë publikisht nga frika se mund të etiketohen si tradhtarë nga protestues të tjerë.
Paralajmërohen masa për meritokracinë, strehimin dhe sigurinë
Gjatë konferencës, Rama njoftoi se qeveria do të bëjë së shpejti publike një paketë masash që do të lidhen me kërkesat për meritokraci, mundësi më të mëdha për strehim dhe barazi sociale.
Ai tha se qeveria po shqyrton edhe masa konkrete në fushën e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët.
“Ne jemi absolutisht të fokusuar dhe së shpejti do të bëjmë me dije cilat do të jenë masat që do të marrim”, u shpreh kryeministri, duke iu referuar kërkesave të qytetarëve për më shumë mundësi dhe mbështetje sociale.
Rama pretendoi se prej katër muajsh ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, ndërsa kritikoi mënyrën se si janë zhvilluar protestat pranë zyrës së tij.
Në përfundim, kryeministri e cilësoi situatën si një sfidë që kërkon trajtimin e problemeve reale të shoqërisë, por paralajmëroi se dhuna, kërcënimet dhe shkatërrimet nuk mund të justifikohen në emër të protestës.
Deklaratat e Ramës pritet të shtojnë debatin mbi shkaqet e protestave, përgjegjësinë për përplasjet dhe gatishmërinë e palëve për të zhvilluar dialog.
Lexo edhe
Dorëhiqet Blerina Gjylameti nga drejtimi i AKU-së, Rama kërkoi largimin e mbi 130 drejtuesve
Rama shtrin sërish dorën e dialogut, këtë herë shtron sofrën para kryeministrisë!














