Protesta studentore nisi me dhunë që ditën e parë. Nuk pati as paralajmërim, as përshkallëzim gradual, as kohë për t’u përgatitur. Gurët fluturuan që në fillim, rrethimi i Ministrisë së Arsimit u shkatërrua dhe zjarri u ndez përpara syve të policisë.
Por kishte një detaj që nuk mund të kalonte pa u vënë re: dukej sikur të gjithë e dinin se çfarë do të ndodhte, përveç qeverisë dhe institucioneve të sigurisë.
Dhe ky është dyshimi i parë. Një protestë që shpërthen në këtë mënyrë, me këtë intensitet dhe me këtë gatishmëri për përplasje, a mund të jetë vërtet një surprizë për një shtet që pretendon se kontrollon sigurinë e vendit?
Në atë kohë, qeveria shqiptare ishte ende e tronditur nga një skandal që kishte prekur pikërisht zemrën e sigurisë kombëtare: kreun e Shërbimit Informativ. Dosja e SPAK-ut, pjesë të së cilës kishin rrjedhur në publik, kishte ngritur dyshime tronditëse mbi lidhjet e drejtuesit të shërbimit me botën e krimit. Institucioni që duhej të mbronte vendin ishte vetë në qendër të një skandali që kërkonte shpjegime.
Dhe në këtë gjendje, Shqipëria u përball me një protestë që doli shumë shpejt jashtë çdo kontrolli.
Disa ditë më vonë, gazetari Nikollë Lesi i drejtoi Taulant Ballës një pyetje të thjeshtë: a kishte pasur qeveria informacion paraprak për atë që po përgatitej të ndodhte?
Balla nuk dha një përgjigje të prerë. Nuk tha se qeveria e dinte, por as nuk tha se nuk dinte asgjë. Iu shmang përgjigjes. Dhe kur një përfaqësues i qeverisë nuk arrin të thotë nëse shteti ishte në dijeni të një përshkallëzimi të tillë, pyetjet bëhen edhe më të rënda.
Kush e dinte se çfarë po përgatitej? Dhe pse shteti u duk sikur po e mësonte në rrugë atë që duhej ta dinte përpara se të ndodhte?
120 orë pa gjumë. Policia po shembej nga brenda
Dita e pestë e protestës u kthye në një makth për policinë. Nga ora 9 e mëngjesit deri në 10 të darkës, studentët i ofruan Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë një stërvitje të vërtetë Rambo. Gurë, zjarr, përplasje dhe një presion që nuk pushonte për asnjë moment. Policët kishin kaluar rreth 120 orë në një gjendje tensioni të vazhdueshëm. Pa gjumë të mjaftueshëm, pa pushim, të rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht. Më shumë se 60 efektivë, sipas informacionit që kemi, kishin ofruar dorëheqjen që në ditën e tretë. Policia po çahej nga lodhja. Por protestuesit nuk po tërhiqeshin.
Dhe pikërisht në këtë pikë ndodh një nga episodet më të pazakonta të gjithë kësaj historie.
Për të zbuluar se çfarë po ndodhte në komunikimet e policisë, u desh një radio e humbur, e cila përfundoi në duart e protestuesve. Komunikimet që dolën prej saj ngritën pikëpyetje të rënda mbi urdhrat që vinin nga kupola drejtuese. Sipas materialeve që kemi në dispozicion, efektivëve u kërkohej përdorim i pamëshirshëm i forcës, deri në gjuajtje të drejtpërdrejta ndaj protestuesve.
Një gazetar i Tempull ishte vetë dëshmitar kur u dha urdhri për komisariatet 1, 2 dhe 4 që të ndërhynin me forcë të madhe. Një ndërhyrje që, në kushtet e krijuara, rrezikonte të shndërrohej në një raprezalje të vërtetë.
Por kupola drejtuese duket se nuk e kishte llogaritur një gjë: në anën tjetër nuk kishte njerëz që po shpërndaheshin. Të rinjtë vazhdonin të qëndronin në rrugë, gurët nuk pushonin dhe përplasja po merrte përmasa që askush nuk po arrinte t’i frenonte.
Ora shkoi 10 e darkës. Policia ishte e gjunjëzuar. Kryeministria kishte mbetur e mbrojtur vetëm nga Garda. Në atë moment u dha urdhri për nxjerrjen e RENEA-s në terren, për të marrë në mbrojtje selinë e qeverisë.
Mendoni pak për këtë skenë: pas pesë ditësh përplasje, pas 120 orësh tensioni, pas dhjetëra efektivëve që nuk po përballonin më presionin, qeveria detyrohet të nxjerrë në terren forcën speciale për të mbrojtur Kryeministrinë.
Si arriti shteti deri këtu? Kush e kishte llogaritur këtë përshkallëzim? Dhe pse policia dukej sikur po luftonte në një betejë për të cilën askush nuk e kishte përgatitur?
Rama dhe historia e “Vëllazërisë Myslimane”
Në Tempull nuk i kemi ndjekur këto zhvillime vetëm nga ajo që shihej në ekran. Kemi mbledhur informacione, kemi ndjekur komunikimet dhe kemi vënë re disa elemente që nuk përputhen me narrativën e paraqitur publikisht nga qeveria.
Burime të Tempull bëjnë me dije se, gjatë një komunikimi me ambasadorin e një vendi strategjikisht aleat të Shqipërisë, Edi Rama e ka paraqitur protestën si të nxitur dhe të mbështetur nga “Vëllazëria Myslimane”. Po, pikërisht kështu. Sipas burimeve tona, kjo nuk ishte një bisedë e kufizuar vetëm te një ambasador. I njëjti version iu përcoll edhe disa përfaqësuesve të tjerë të vendeve aleate europiane.
Por këtu ndodh diçka që e bën historinë edhe më të rëndë.
Sipas të njëjtave burime, përfaqësues të këtyre vendeve e kundërshtuan pretendimin e qeverisë shqiptare, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës së vendeve të tyre. Pra, nuk pranuan versionin që u ishte paraqitur nga pala shqiptare.
Kjo narrativë, sipas burimeve tona, gjeti mbështetje vetëm te njëri ambasador. Pse vetëm ai?
A ishte çështje mungese informacioni? A ishte mungesë interesi për të kundërshtuar versionin e Ramës? Apo kishte arsye të tjera që nuk janë bërë publike?
A mos vallë tani kemi të bëjmë me një çështje që shkon shumë përtej një deklarate diplomatike? Një qeveri që përpiqet t’u shpjegojë aleatëve të saj një protestë me një narrativë të tillë, ndërkohë që disa prej tyre e kundërshtojnë duke iu referuar inteligjencës së vet, duhet të japë llogari. Çfarë synohej të arrihej duke e paraqitur protestën si një operacion të frymëzuar nga “Vëllazëria Myslimane”?
Mesazhi amerikan. Një kthesë në mes të përplasjes
Pastaj erdhi mesazhi i Ambasadës Amerikane. Një mesazh që, në leximin tonë, u perceptua si sulm ndaj studentëve dhe që ndryshoi atmosferën e protestës. Një ndërhyrje e pazakontë për nga momenti dhe mënyra se si u zhvillua.
Në ditët në vijim, qeveria shqiptare kërkoi ndihmë nga Turqia. Kjo e fundit dërgoi me një avion ushtarak dy mjete për hedhjen e ujit, të destinuara për përballimin e protestave.
Edhe ky episod kërkon shpjegim. Pse u desh ndihmë nga jashtë? Çfarë po pritej të ndodhte në rrugët e Tiranës? Dhe a ishte qeveria duke u përgatitur për një përballje edhe më të madhe?
2500 euro për vijën e parë. Pastaj shpërtheu hakmarrja
Dita e shtatë solli një kapitull tjetër. Dhuna policore ndaj protestuesve doli në rrugë me një intensitet të frikshëm. Sipas vlerësimeve dhe dëshmive që kemi mbledhur, numri i të rinjve të plagosur besohet se ka kaluar 800. Shumë prej tyre, sipas informacioneve tona, nuk shkonin në spital nga frika se do të arrestoheshin.
Lexojeni edhe një herë këtë: të plagosur, por që druheshin të kërkonin ndihmë mjekësore, sepse mund të përfundonin në pranga.
Në atë klimë, kryeministri mblodhi efektivët e policisë dhe u premtoi një shpërblim prej 2500 eurosh atyre që kishin qenë në vijën e parë të frontit. Sipas informacionit që kemi, paratë u disbursuan menjëherë. Dhe pas kësaj, dhuna mori një tjetër drejtim. Policia nisi hakmarrjen ndaj protestuesve.
Kështu, përveç përplasjes në rrugë, qeveria u gjend përballë dy skandaleve të tjera: akuzave për një narrativë të rreme të përcjellë te aleatët ndërkombëtarë dhe pretendimeve për raprezalje ndaj studentëve.
Deri më sot, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk ka informacione se po hetohet. Por historia nuk mbaron këtu. Përkundrazi, këtu fillon pjesa që mund të ndryshojë mënyrën se si është parë e gjithë protesta.
Nesër pjesa e katërt
Lexo edhe
Nga Rruga e Durrësit tek loja e rëndë. Kush e ndezi fitilin e protestës














