Më 12 tetor, studentët mbushën Rrugën e Durrësit, përpara Ministrisë së Arsimit. Policia që ndodhej aty u kap krejtësisht në befasi. Nuk kishte podium, nuk kishte fjalime, nuk kishte mikrofon dhe as megafon. Nuk kishte asnjë nga ato elementet që zakonisht shoqërojnë një protestë të organizuar. Kishte vetëm një turmë studentësh, një pjesë e të cilëve me fytyrat e mbuluara.
Por ajo që ndodhi më pas nuk ngjante me një protestë të zakonshme.
Gjithçka nisi me gurë. Më pas u sulmua dhe u shkatërrua rrethimi i hekurt i Ministrisë së Arsimit. Erdhi zjarri dhe përplasja me policinë vazhdoi deri afër mesnatës.
Të nesërmen policia u rikthye me përforcime. Por edhe kësaj radhe u gjend përballë një situate që nuk po arrinte ta kontrollonte. Për më shumë se 12 orë, efektivët u përballën me një presion të jashtëzakonshëm. Nga njëra anë policë të rraskapitur, nga ana tjetër të rinj që dukeshin sikur nuk njihnin lodhjen. Gurë, zjarr, gaz lotsjellës dhe ujë. Një përplasje që sa vinte e bëhej më e egër.
Nuk ishte parë një situatë e tillë prej kohësh. Madje, as në vitin 1991, kur Shqipëria po përjetonte ditët e saj më të trazuara, nuk kujtohet një përballje e këtij intensiteti në këto përmasa.
Në mbrëmje, policët ishin të rraskapitur. Ndërsa adrenalina e të rinjve dukej e papërballueshme. Në ditët që pasuan, dhuna u shtua edhe më shumë. Të gjitha palët filluan të mësonin nga njëra-tjetra. Protestuesit gjenin mënyra të reja për të sulmuar, policia përshtaste mënyrën e reagimit, por asnjëra palë nuk po tërhiqej.
Dhe pastaj erdhi kulmi.
Nga mëngjesi deri në darkë, pa pushim. Gurë, zjarr dhe përballje që ngjanin me një fushë beteje. Një situatë ku çdo moment dukej sikur mund të ishte vendimtar. Policia po e humbiste kontrollin. Efektivët ishin në kufijtë e lodhjes dhe situata po shkonte drejt një pike ku dukej se askush nuk mund ta ndalte më përshkallëzimin.
Policia ishte në prag kapitullimi. Dhe pikërisht kur gjithçka dukej se po shkonte drejt asaj pike, erdhi lëvizja e fundit nga kryeministri. Edi Rama nxori RENEA-n në terren. Shfaqja e kësaj force ndryshoi menjëherë atmosferën. Përplasjet u zbutën dhe vendi u qetësua.
Por këtu ndalemi. Tani pyetja nuk është vetëm se si u qetësua protesta. Pyetja është se çfarë e solli vendin deri në atë pikë. Kush ishin ata të rinj që për orë të tëra hidhnin gurë, që nuk lodheshin dhe nuk tërhiqeshin? Kush ishin studentët piromanë që dukeshin sikur kishin vetëm një mision: ta çonin përplasjen deri në fund? Ishte zemërim spontan, apo kishte njerëz që e dinin mirë se ku po e çonin këtë histori?
A kishte skenar? A kishte skenaristë? Dhe mbi të gjitha, kush po e luante këtë lojë?
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të kthehemi disa javë pas në kohë. Sepse shkëndijat nuk nisën më 12 tetor. Ato kishin filluar shumë më herët.
Shkëndijat kishin nisur që në verë
Ndërkohë që shumica e njerëzve në verë pushonin, një pjesë e vendit ishte përfshirë në protestën e flamingove, ndërsa gazetarët e Top Channel, më saktë ekipi i emisionit Fiks Fare, ishin në punë. Madje, në kulmin e punës.
Ata i ishin vënë në ndjekje Belinda Ballukut.
Në shtator, mediat nisën sezonin e ri televiziv. Për Fiks Fare, sezoni i dytë kishte një domethënie të veçantë. Emisioni e nisi me një kronikë që kishte në qendër Belinda Ballukun. Një investigim që, nga ana gazetareske, ishte brenda standardit të emisionit. Por për ministren, duket se kjo histori nuk ishte aspak e lehtë për t’u kapërdirë. Vetëm një javë më vonë, Fiks Fare dha goditjen e dytë.
Në kronikën e radhës, Balluku shfaqet në një moment reagimi emocional. Ajo ngre telefonin dhe fillon të filmojë gazetaren. Një skenë që nuk kaloi pa u vënë re. Ishte një shenjë e qartë e tensionit që ishte krijuar. Balluku dukej se mezi po e mbante veten. Situata kishte arritur në kufijtë e durimit.
Pak ditë më vonë nisën thashethemet se Edi Rama po e dorëzonte Belindën. Nuk vonoi shumë dhe gazetari Çim Peka publikoi një status në rrjetet e tij sociale, ku i bënte thirrje Ballukut të shkonte në emisionin e tij dhe të tregonte se çfarë dinte për Ramën. Sipas tij ajo kishte më pak se dy javë nga prangosja. Sigurisht që Balluku nuk shkoi.
Por çfarë po ndodhte në të vërtetë? Sa e rëndë ishte bërë përplasja mes palëve? Çfarë po lëvizte në prapaskenë dhe pse pikërisht në atë periudhë tensionet politike morën këtë drejtim? Nuk dimë nëse këto zhvillime kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me atë që ndodhi më pas. Por kronologjia është aty dhe pyetjet janë të pashmangshme.
Dhe menjëherë pas kësaj atmosfere, erdhi 12 tetori.
Rruga e Durrësit u mbush me studentë. Policia u kap në befasi. Gurët fluturuan, rrethimi i ministrisë u shkatërrua dhe zjarri ndezi një përplasje që do të vazhdonte për ditë të tëra.
Këtu fillon loja e rëndë.
Kush ishin ata që e çuan protestën deri në këtë pikë? Kush i mbante në këmbë, kush i orientonte dhe kush kishte interes që kjo përplasje të mos ndalej? Dhe a kishte vërtetë “organizatorë” nga pas apo kjo ishte thjeshtë konspiracion….
Nesër pjesa e tretë
lexo edhe
“Mirëmëngjes” me sofrën e dialogut, Rama përsërit ftesën për protestuesit














