Kush ishin studentët që dhunuan? Dhe kush ishin studentët që u dhunuan? Kjo është pyetja që duhet bërë përpara se të përsëritet pa fund narrativa zyrtare. Sepse filmimet dhe provat e mbledhura në terren tregojnë një tablo që nuk përputhet domosdoshmërisht me atë që publiku është mësuar të besojë.
Deri më sot, nga materialet që kemi shqyrtuar, nuk kemi identifikuar prova që të tregojnë se personat që shkaktuan dëmet materiale janë të njëjtët që u plagosën, u arrestuan apo u përballën me dhunën policore.
Atëherë, ku janë ata që dogjën? Ku janë ata që shkatërruan? A u identifikuan? A u arrestuan? A u hetuan?
Apo, pasi kryen atë që kishin për të bërë, u zhdukën nga skena, duke lënë të tjerët të përballeshin me pasojat?
Shikoni me kujdes objektivat. U dogjën dy filiale të institucionit të mikrokredisë IuteCredit, për të cilin Tempull kishte publikuar më parë denoncime lidhur me pretendime për mashtrim, shantazh dhe përvetësim të paligjshëm. U dogjën gjithashtu degë të dy bankave të tjera. U dogjën kioskat që kishin lidhje me një televizion kombëtar. Por kioska e një orëndreqësi mbeti jashtë kësaj liste.
Dhe tani mbërrijmë te pyetja që nuk mund të anashkalohet.
Nëse këto dëme u shkaktuan nga studentë që urrenin Edi Ramën dhe donin të godisnin pushtetin, përse u goditën pikërisht këto objekte? Përse u dogjën këto filiale, këto banka dhe këto kioska? Përse objektiva të tjera, që do të kishin një kuptim shumë më të drejtpërdrejtë politik, mbetën të paprekura?
Përse nuk u prek banka që lidhet me bashkëshorten e kryeministrit?
Nëse qëllimi ishte të goditej Rama, pse nuk u prek një objektiv që lidhej drejtpërdrejt me familjen e tij?
A ishte rastësi? Ishte përzgjedhje e verbër? Apo dikush po zgjidhte me kujdes se çfarë duhej të digjej dhe çfarë duhej të mbetej në këmbë?
Këto pyetje nuk janë të vogla. Sepse nëse personat që shkaktuan dëmet nuk janë ata që u arrestuan dhe u dhunuan, atëherë publikut i është treguar vetëm një pjesë e historisë.
Dhe pjesa që mungon mund të jetë pikërisht më e rëndësishmja.
Kush i organizoi dhunuesit? Kush i drejtoi drejt këtyre objektivave? Kush përfitoi nga djegiet? Dhe ku përfunduan ata që hodhën gurët, ndezën zjarret dhe u zhdukën pa lënë gjurmë?
Tempull do të vijojë të ndjekë gjurmët e kësaj historie. Sepse pas shtatë ditësh dhune, pas 120 orësh në front, pas urdhrave të radios, pas 2500 eurove dhe pas objektivave të djegura, një pyetje mbetet pezull:
A ishte kjo vërtet një protestë që doli jashtë kontrollit, apo kishte njerëz që e dinin shumë mirë se ku duhej të shkonte?

Vijon nesër…

Reklame

Lexo edhe

Prapaskenat e një lufte të pisët. Nga Zvërneci, kapja e nismëtarëve, mikrofoni dhe studentët e dhunshëm

Nga Rruga e Durrësit tek loja e rëndë. Kush e ndezi fitilin e protestës

Reklame