Tempull ka kryer një investigim disa mujor që nga fillimi i protestës e deri në momentet e tanishme dhe sot nisim zbërthimin e asaj që ndodhi pas perdeve: bekimi i Ramës, takimet e mbyllura, nismëtarët që përjashtuan njëri-tjetrin, diaspora që prishi ekuilibrat dhe grupet që luftuan për të marrë nën kontroll revoltën. Një protestë që nisi me një histori dhe vijon me një tjetër.
Ata menduan se mund ta kontrollonin sheshin. U gabuan. Menduan se mund të kontrollonin njerëzit që flisnin. U përplasën me njëri-tjetrin. Menduan se mund ta mbanin protestën brenda kufijve që u interesonin. Pastaj erdhën studentët dhe loja ndryshoi.
Pas fasadës së një proteste pa drejtues, pa përfaqësues dhe pa pronarë, u zhvillua një betejë e ashpër për kontrollin e saj. Takime të mbyllura, grupe që krijonin aleanca dhe i prishnin ato, nismëtarë që përjashtonin nismëtarë, luftë për mikrofonin dhe një diasporë që refuzoi të hynte në rresht.
Ndërsa qytetarët mbushnin bulevardin, pas skenës luhej një lojë tjetër.
Ndërsa qytetarët mbushnin bulevardin, pas skenës luhej një lojë tjetër.
Kush vendoste? Kush fliste? Kush duhej të heshtte? Dhe çfarë ndodhte kur dikush nuk pranonte më të zbatonte rregullat e vendosura nga të tjerët?
Tempull nis zbërthimin e kësaj historie. Jo historinë që u tregua nga mikrofoni, por atë që u zhvillua pas tij.
Zvërneci, familja Tramp dhe protesta që mori drejtim të paparashikuar.
Sipas informacionit që qëndron në themel të kësaj historie, filli i ngjarjeve të çon te Zverneci, te një çështje pronësie dhe te interesat që lidhen me familjen Trump.
Në qendër të kësaj prapaskene qëndronte një problem serioz: prona ishte e lidhur me emrin e një personi me probleme të rënda penale. Një rrethanë që e bënte problematik një transaksion të kësaj natyre me familjen Trump.
Sipas këtij informacioni, protesta nisi me bekimin e Edi Ramës, si një mënyrë për të krijuar një justifikim përpara familjes Trump dhe për të shmangur dhënien e Zvernecit.
Por këtu nis edhe paradoksi i madh i gjithë historisë.
Një lëvizje që, sipas këtij versioni të ngjarjeve, kishte një funksion të caktuar, u përball me një zemërim qytetar që nuk mund të mbahej brenda kufijve të parashikuar.
Kur një person u tërhoq zvarrë nga persona të një strukture private sigurie, zemërimi shpërtheu. Shqiptarët dolën në rrugë dhe protesta mori përmasa që i zunë në befasi edhe vetë nismëtarët.
Ata që mund të kishin menduar se do të kontrollonin drejtimin e ngjarjeve, u përballën me një realitet krejt tjetër: mijëra qytetarë nuk kishin dalë për të zbatuar urdhrat e askujt.
Në një moment, zemërimi i qytetarëve mori flake dhe tani nuk kishte më rëndësi se kush e kishte shkrepësen në dorë.
Dhe kështu, çështja nuk ishte më vetëm se si do të vazhdonte protesta. Çështja ishte kush do të arrinte ta vinte përsëri nën kontroll.
Takimet e mbyllura. Nisi të ndërtohej qendra e organizimit
Protesta po rritej, por nismëtarët nuk kishin një vend të qëndrueshëm ku të takoheshin. Duhej një hapësirë për diskutime, koordinim dhe vendimmarrje. Në këtë moment u shfaq Gent Progni, i njohur për denoncimet e tij lidhur me çështje të AKSHI-t. Ai vuri në dispozicion ambientet e kompanisë së tij për takimet e grupit, sigurisht të survejuara me kamera, ku sigurisht kishte akses Genti ndoshta edhe ndokush tjetër që donte Genti.
Kështu nisën mbledhjet periodike. Rrethi u zgjerua. U afruan njerëz të tjerë. U diskutuan ide dhe u përcaktuan qëndrime për vazhdimin e protestës. Por, bashkë me organizimin, u krijua edhe një strukturë njerëzish që tashmë njiheshin me njëri-tjetrin, që takoheshin rregullisht dhe që kishin mundësi të ndikonin te vendimet.
Ndërkohë, mijëra qytetarë që dilnin në shesh nuk merrnin pjesë në këto takime. Ata mund të dëgjonin atë që thuhej publikisht, por jo domosdoshmërisht atë që diskutohej në mjediset ku organizimi merrte formë.
Këtu u krijua ndarja e parë e madhe: njëra pjesë e protestës ishte në bulevard, tjetra në tryezat ku diskutohej se çfarë duhej të ndodhte në bulevard. Dhe në një protestë që pretendon se nuk ka pronarë, ky është një dallim që nuk mund të shpërfillet.
Skenaristëve fillestarë të protestës u duhej të rivihej në kontroll protesta. Ata tashmë kishin filluar të ndërtonin mekanizmin. Dy hallka të këtij mekanizmi u realizuan. Hallka e parë ishte krijimi i një vendtakimi periodik. Hallka e dytë ishte krijimimi i grupit nismëtar organizativ, në mënyrë që të identifikoheshin, të përzgjidheshin dhe të kapeshin. Kur grupi filloi të formësohej, ata që kishin interes kontrolli mbi këtë grup, pasi i identifikuan ata që u duheshin, pastaj e hodhën në offensive këtë grup kundër grupit që mendonin ndryshe, duke e pëtjashtuar këtë të fundit. Foleja u gjet, nismetarët u kapën, tani kishte ngelur problemi i trete, kontrolli i turmës, mundësitë për të kapur turmën ishin përtej zeros, por duhej vënë nën kornizë të paktë. Kështu u mendua se kjo mund të behëj nga një mjet i thjeshtë. Mikrofoni. Hitleri kishte thënë dekada më parë: Më jepni një radio dhe unë pushtoj krejt botën
Mikrofoni, trau i protestës
Nëse takimet krijuan qendrën e organizimit, mikrofoni u bë porta përmes së cilës kalohej drejt publikut.
Formula ishte e bukur, pothuajse e pagabueshme në dukje: protesta nuk ka kokë, nuk ka këmbë, nuk ka drejtues dhe nuk ka përfaqësues. Por kishte një problem të madh.
Kush vendoste se kush do të fliste?
Kush përcaktonte se cilat kërkesa do të dëgjoheshin nga mijëra qytetarë? Kush vendoste se cilat ide do të merrnin hapësirë dhe cilat do të mbeteshin jashtë?
Sipas mënyrës se si u zhvillua organizimi, aksesi te mikrofoni varej nga dakordësia mes grupeve që kishin ndikim mbi protestën.
Dhe kështu, një lëvizje që publikisht nuk pranonte të kishte drejtues, krijoi një mekanizëm ku dikush duhej të vendoste se kush kishte të drejtë të fliste.
Kjo ishte zgjuarsia e formulës: të mos shpallje një kryetar, por të ruaje ndikimin mbi zërin e protestës. Të mos mbaje përgjegjësi si drejtues, por të ndikoje te drejtimi. Parimi që kjo protest të mos kishte gjymtyrë ishte një masë vetëmborjtje nga ata grupet e jashtme që kapën nismetarët, në mënyrë që të kishte siguri në vijimin e kaosit të padëmshëm. Mikrofoni nuk ishte më thjesht një pajisje. U kthye në një instrument pushteti. Kur pushteti nuk ka një emër të shpallur, lufta për ta marrë bëhet edhe më e errët.
Nismëtarët kundër nismëtarëve
Pastaj nisën përplasjet. Disa nga nismëtarët nuk mendonin njësoj për të ardhmen e protestës. Idetë e disa prej tyre binin ndesh me qëndrimet e pjesës tjetër, asaj që ishte kaparuar tashmë.
Në vend që mosmarrëveshjet të zgjidheshin hapur, grupet nisën të rreshtoheshin kundër njëri-tjetrit. Ata që kishin më shumë ndikim u bashkuan dhe, sipas zhvillimeve të përshkruara, njerëzit që mendonin ndryshe u përjashtuan nga grupi.
Kjo është një nga kthesat më domethënëse të gjithë historisë.
Nismëtarët që kishin ndihmuar në ngritjen e protestës po humbnin vendin e tyre brenda saj. Ata që kishin nisur së bashku një proces, përfunduan duke luftuar për të përcaktuar se kush duhej të qëndronte dhe kush duhej të largohej. Protesta vazhdonte të paraqitej si një lëvizje e të gjithëve. Por brenda organizimit po zhvillohej një betejë për të përcaktuar se cilët njerëz kishin të drejtë të ishin pjesë e vendimmarrjes.
Takimet vazhdonin. Rrethi u ngushtua. Mikrofoni mbeti nën ndikimin e grupeve që kishin krijuar marrëveshjet e tyre.
Në letër, gjithçka dukej e sistemuar. Në realitet, ishte krijuar një problem që nuk mund të zgjidhej me asnjë mbledhje: qytetarët nuk ishin pjesë e marrëveshjeve dhe nuk mund të kontrolloheshin si një grup i mbyllur. Dhe pikërisht kur ky mekanizëm dukej se kishte gjetur ekuilibrin e vet, në skenë hyri diaspora.
Diaspora prish ekuilibra. Takimi që prishi lojën
Përfshirja e diasporës solli një faktor të ri në një organizim që tashmë ishte konsumuar nga përplasjet e brendshme. Sipas informacionit të paraqitur, shqiptarët e diasporës mbërritën mes vështirësive, ndalimeve dhe gjobave nëpër dogana, pengesa që në këtë rrëfim i atribuohen ndërhyrjeve të Ramës.
Por ata nuk erdhën vetëm për të shtuar numrin e protestuesve. Kishin kërkesa dhe një ide të qartë për mënyrën se si duhej të vazhdonte protesta.
Kontaktet me nismëtarët nisën të zhvilloheshin veçmas, larg syve të publikut. Një nga këto takime ishte ai i zhvilluar nga Luciana Koka me përfaqësues të diasporës.
Pastaj doli video që tregoi të vërtetën. Dhe bashkë me të, u bë e qartë se diaspora nuk kishte ndërmend të pranonte rregullat e vendosura deri atëherë. Të pranishmit në këtë takim në një sallë hoteli në Tiranë I thanë Kokës: Nuk do të marrim pjesë më në takime të mbyllura. Protesta është atje jashtë…
Ky nuk ishte një detaj i vogël organizativ. Ishte një goditje ndaj mënyrës se si po funksiononte i gjithë mekanizmi. Deri atëherë, disa grupe ishin mësuar të diskutonin, të arrinin marrëveshje dhe më pas të shfaqeshin në publik me një qëndrim të caktuar. Diaspora nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj formule.
Dhe tani kishte një problem të ri: një grup me peshë publike po kërkonte të ndryshonte jo vetëm kërkesat e protestës, por edhe mënyrën se si merreshin vendimet.
Ky grup, duke refuzuar të luajë sipas rregullave të vendosura nga të tjerët, nuk po kërcënonte vetëm një marrëveshje. Ai po kërcënonte të gjithë mekanizmin që e mban atë marrëveshje në këmbë në këmbë.
Bulevardi mbushet plot, mikrofoni kthehet në fushëbetejë
Pastaj erdhi momenti kur asnjë formulë nuk mund ta mbante më situatën nën kontroll. Sipas vlerësimit të paraqitur, mbi 170 mijë njerëz u mblodhën në bulevard. Diaspora ishte aty, pas gjithë vështirësive të rrugës. Qytetarët kishin dalë masivisht dhe protesta kishte marrë një përmasë që i kapërcente shumëfish përplasjet e grupeve organizatore. Policia nuk dukej më gjëkundi. Ndërsa turma mbushte hapësirën, nismëtarëve po u dridhej dheu nën këmbë.
Diaspora kërkoi protestë 24-orëshe. Ky ishte momenti kur duhej të merrej një vendim: të vazhdohej protesta me kërkesat e reja apo të ruhej drejtimi që kishte ekzistuar deri atëherë. Përplasja te mikrofoni e nxori konfliktin në sipërfaqe. Diasporës nuk iu dha hapësira që kërkonte për të folur. Kërkesa për vazhdimin e protestës nuk u kthye në një vendim të përbashkët. Nismëtarët u tërhoqën nga sheshi me njerëzit e tyre. Afër mesnatës edhe qytetarët nisën të largoheshin.
Mijëra njerëz kishin ardhur për të protestuar. Por, kur panë se çfarë po ndodhte mes atyre që pretendonin se e organizonin protestën, sheshi nisi të boshatisej.
Në bulevard mbetën disa përfaqësues të diasporës dhe pak persona të tjerë nga rrethi i organizimit, të cilët qëndronin pranë tyre, ndërsa përpiqeshin të kuptonin lëvizjet e radhës. Këtu u thye diçka më e rëndësishme se një marrëveshje organizative: besimi. Grupet nuk po i besonin më njëri-tjetrit. Diaspora nuk pranonte të ndiqte vijën e vendosur nga nismëtarët. Qytetarët po largoheshin. Dhe mekanizmi që ishte ndërtuar për të ruajtur ndikimin mbi protestën po shpërbëhej para syve të të gjithëve.
Gent Progni kundër “Bankës së Fundit”, lufta për pushtetin e mbetur
Kur marrëveshjet u dobësuan dhe besimi mes grupeve u shemb, organizimi u fragmentua. Në terren u krijuan disa grupime, mes tyre ai i Gent Prognit dhe “Banka e Fundit”. Kjo e fundit mbështetej nga Partia Demokratike. Në përplasjen mes tyre, grupi i Prognit doli fillimisht më i fortë. Por fitorja e parë nuk garantonte kontroll të qëndrueshëm. Gent Progni, i cili kishte vënë në dispozicion ambientet e kompanisë së tij për takimet, nisi të shihej si një faktor që po bëhej i vështirë për t’u kontrolluar nga pjesa tjetër e grupit. Përfundimisht, ai u hoq nga drejtimi. Një tjetër qendër ndikimi u dobësua.
Ndërkohë, në terren vepronte edhe grupi i mbështetur nga Altin Goxhaj dhe Shpend Gashi, si dhe grupime të tjera të lidhura me parti të vogla dhe forca të reja politike. Protesta ishte shndërruar në një mozaik grupesh që luftonin për ndikim, ndërsa qytetarët që kishin mbushur bulevardin po humbnin lidhjen me vendimmarrjen, madje edhe me bulevardin. Ironia ishte e rëndë: një protestë që kishte nisur me një zemërim të madh qytetar po konsumonte energjinë e saj në konflikte për drejtimin, përfaqësimin dhe kontrollin. Dhe ndërsa grupet luftonin për pjesën e tyre, protesta po shuhej. Deri në momentin kur gjithçka ndryshoi përsëri.
Studentët hynë në skenë. Një elefant në pyll që merr përpara cdo gjë, mikrofon, grupime etj etj
Kur protesta dukej se po humbiste vrullin, në skenë erdhën studentët. Dhe loja ndryshoi. Nuk ishte më skema e mëparshme. Nismëtarët nuk kishin më të njëjtin rol. Mikrofoni nuk ishte më qendra e gjithçkaje. Grupet që kishin luftuar për kontrollin e organizimit nuk mund ta përcaktonin më me të njëjtën lehtësi drejtimin e ngjarjeve. Protesta hyri në një fazë tjetër. Më pas, situata u bë e dhunshme.
Ajo që kishte nisur si një konflikt për drejtimin e një lëvizjeje qytetare u përplas me një realitet të ri në terren. Ekuilibrat e vjetër nuk funksiononin më. Strukturat e krijuara gjatë fazës së parë kishin humbur ndikimin, ndërsa protesta po zhvillohej në kushte krejt të tjera.
Çfarë ndodhi në atë kalim nga një protestë e konsumuar nga përplasjet e brendshme te një protestë që mori një karakter të ri dhe u bë e dhunshme?
Kush e kuptoi i pari se loja kishte ndryshuar? Kush mbeti jashtë saj? Dhe kush përfitoi nga shpërbërja e strukturës që kishte dominuar deri atëherë?
Këto janë pyetjet që hapin kapitullin tjetër të kësaj historie.
Protesta që nuk e kontrollonte askush por që shumëkush donte ta vinte nën këmbë
Kjo është historia e një proteste ku, pas zemërimit të qytetarëve, u zhvillua një betejë për pushtet brenda vetë organizimit. Nga Zverneci te takimet e mbyllura. Nga krijimi i qendrës së organizimit te kontrolli i mikrofonit. Nga përjashtimet mes nismëtarëve te përplasja me diasporën. Nga beteja mes grupeve te ardhja e studentëve. Një varg zhvillimesh që tregojnë se si një lëvizje mund të humbasë drejtimin kur njerëzit që pretendojnë se e përfaqësojnë fillojnë të luftojnë për ta zotëruar.
Por historia nuk mbaron këtu.
Kush e nisi lojën e re? Si u organizua protësta e studentëve dhe kush është në këtë lojë tani. A është vërtetë një betejë në shesh e rrugica po në korridore pushteti?
Vijon nesër
Lexo edhe
Dita e 16-të e protestës studentore, bie numri i pjesëmarrësve para Kryeministrisë














